Turizëm

Italianët “pushtojnë” Shqipërinë/ 53% turistë më shumë se vitin e kaluar, vendi i dytë me prurjet më të larta të vizitorëve

0

Bumi i turizmit shqiptar ka qenë kryefjala e kohëve të fundit për shkak të rekordeve që janë regjistruar muaj pas muaji sa i përket numrit të vizitorëve në territorin e vendit tonë. ‘Scan Intel’ ka kryer një sërë analizash mbi ndryshimet që ka shënuar turizmi, duke përfshirë rritjen e numrit të hyrjeve, vendet e origjinës apo edhe netë qëndrimet. Nga të dhënat e përpunuara vihet re se një numër i lartë turistësh që kanë vizituar Shqipërinë janë sidomos nga Kosova dhe Italia. Këtë herë ‘Scan Intel’ është përqëndruar në atë çfarë thonë të dhënat zyrtare për italianët. Sipas shifrave referuar “Institutit të Staistikave” Shqipërinë e kanë vizituar, gjatë periudhës Janar-Korrik të këtij vitit, 430,027 italianë. Në të njejtën periudhë të një viti më parë ky tregues regjistrohej në 280,881 vizitorë. Pra, rritja gjatë vitit 2023 fiksohet në 53.1%.

Nëse analizojmë të dhënat sipas vendeve të origjinës për periudhën Janar-Korrik të këtij viti shohim se Italia është renditur si vendi i dytë me numrin më të lartë të shtetasve të cilët kanë vizituar Shqipërinë. Ndërkohë, në vend të parë kemi Kosovën. Në 7 muajt e parë të vitit, shtetasit nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë numërohen në rreth 2.2 milion. Shtetasit nga Mali i Zi janë të tretët dhe ndjekin në renditje Maqedonia e Veriut, Greqia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga të dhënat e analizuara shohim se në harkun kohor të 25 viteve viti 2022 ka prekur rekord absolut të vizitorëve nga Italia. Gjatë vitit të kaluar kanë hyrë në vendin tonë rreth 610 mijë italianë, nga 354 mijë gjatë vitit 2021. Nga  tendenca e shifrave të mësipërme sa i përket shtatë muajve të vitit aktual shohim se mund të parashikohet një rekord i ri deri në fund të 2023-shit.

Por përse ky fluks i italianëve vitet e fundit apo edhe i turistëve të tjerë në përgjithësi? Kryesisht kjo mund të vijë si pasojë e diferencës së çmimeve, pra kemi çmime më konkurruese ose më ekonomike. Faktorë të tjerë mund të jenë  investimet që janë bërë në këtë sektor, fleksibiliteti i kompanive turistike dhe shtimi i linjave ajrore direkte.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Paga mesatare arrin në 70,905 lekë/ 9.6% më e lartë se në tremujorin e parë. Financa dhe administrata me rritje dyshifrore

Postimi mëparshëm

Sa herë është kryer Censi në Shqipëri? Për herë të 12-të këtë vit. Analiza sipas periudhës dhe karakteristikave përkatëse

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.