ÇmimetEkonomi

Inflacioni “zbutet”, por jo për ushqimet/ Prekin rekord historik, 15.3% më të shtrenjta se një vit më parë

0

Norma e inflacionit ka zbritur pranë 7.9% gjatë nëntorit, tregojnë shifrat e Institutit të Statistikave. Gjatë tetorit ndërkohë, inflacioni fiksohej në 8.3%, që ishte edhe niveli më i lartë që prej vitit të largët 1998. Por, pavarësisht `zbutjes` gjatë nëntorit, norma vijon të jetë më e larta që prej dhjetorit të 24 viteve më parë. Prej tetorit të një viti më pare ndërkohë, kjo është hera e parë që norma e inflacionit regjistrohet në rënie në vendin tonë, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Krahasuar me muajin tetor, çmimet në vendin tonë, sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumit kanë rënë me 0.3%. Prej qershorit të këtij viti, kur çmimet binin me 0.1% krahasuar me muajin pararendës kjo është hera e parë që çmimet bien në terma mujorë, sinjalizojnë shifrat.
“Ushqimet dhe pijhet joalkoolike” kanë dhënë kontributin më të madh në rritjen e çmimeve prej 7.9% gjatë nëntorit, me plot 5.12 pikë përqindje, ndjekur nga transporti me 0.58 pikë përqindje, dhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.6 pikë përqindje. Asnjë prej grupeve ndërkohë nuk ka dhënë kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë nëntorit.

Ndër nëngrupet, rritjen më të lartë vjetore të çmimeve e regjistron grupi i “ushqime dhe pije joalkoolike” me 14.7%, ndjekur nga nëngrupi i “transportit” me 9.6% rritje vjetore të çmimeve, “mobilimi i shtëpisë” me 6.2% dhe çmimet e “hoteleve, bareve dhe restoranteve” me 6.1%.

Brenda grupit të ushqimeve dhe pijeve ndërkohë, shifrat sinjalizojnë se, vetëm “ushqimet” janë rritur me 15.3% dhe mes tyre, “qumështi, djathi dhe vezët” rezultojnë 23.3% më të shtrenjta se nëntori i kaluar, “vaji” 24.1% më i shtrenjtë, peshku 16.2% më i shtrenjtë, “buka dhe drithërat”, 15.8% më të shtrenjta, “sheqeri dhe ëmbëlsirat” 14.8%, apo “mishi” me 12.4% rritje të çmimeve. Nga ana tjetër, ndryshe nga muajt e tjerë, inflacioni gjatë nëntorit duket se ka prekur edhe zarzavatet, të cilat rezultojnë 15% më të shtrenjta se vjet gjatë nëntorit. Kurrë më parë që prej nisjes së krizës së çmimeve, ushqimet nuk regjistronin një shtrenjtim të tillë vjetor prej 15.3%. Rekordi i mëparshëm i vitit regjistrohej në tetor, me 15.2% rritje të çmimeve të ushqimeve. Madje, shifrat tregojnë se, asnjëherë më parë, të paktën që prej 1 janarit të vitit 2007 kur këto të dhëna janë publike, çmimet e ushqimeve nuk regjistronin një inflacion kaq të lartë sa nëntori i këtij viti.

Sa i përket grupit të çmimeve që ka ngritur shumë pikëpyetje gjatë muajve të fundit, atij “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, këto pikëpyetje vijojnë ende, pavarësisht rënies së çmimeve të karburanteve së fundmi, tendencë e vënë re lehtë edhe gjatë nëntorit. Ky grup regjistron një rritje vjetore të çmimeve me vetëm 3.1% në nëntor, ndërkohë që “karburantet dhe energjia” rezultojnë me vetëm 3.4% rritje vjetore të çmimeve. Qiratë e shtëpive ndërkohë rezultojnë vetëm 2.2% më të larta se 12 muaj më parë, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë me probleme, rekord i ri në tetor/ Pranë 5%, niveli më i ulët që nga nëntori i vitit 2008

Postimi mëparshëm

Sa influencë ka Kina në Shqipëri? Renditemi ndër të fundit, ndikimi më i dobët në fusha si politika e jashtme dhe ajo e brendshme

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.