Ekonomi

Inflacioni “rigjen” logjikën, shtrenjtimi i ushqimeve shmang deflacionin

0

Norma e inflacionit në vendin tonë ka zbritur në 0.4% gjatë muajit të parë të këtij viti. Kjo normë është bindshëm përtej objektivit të bankës qendrore, që “shënjestron” një normë pranë 3%, por nga ana tjetër, është brenda kornizës logjike të situatës. Gjatë vitit të kaluar, pra në kulm të krizës ekonomike të shkaktuar nga pendmia, çmimet e konsumit në vendin tonë rriteshin me hapa të pajustifikueshëm, duke na vendosur ndër vendet e para në Europë në këtë drejtim. Rënia e konsumit nuk e justifikonte aspak këtë trajektore të çuditshme. Por, shifrat e janarit duket se e kanë përmbysur këtë tendencë, duke regjistruar normën më të ulët të rritjes së çmimeve që prej mesit të vitit 2016. Që prej vitit 2007, kur edhe instat ka publike këto të dhëna, kjo është norma e 4-tët më e ulët mujore e inflacionit, në terma vjetorë. Vetëm muaji shkurt, mars dhe prill i vitit 2016 kanë regjistruar vlera më të ulta, por pa kaluar asnjëherë në territor deflacionist.

Sa i përket grupeve të veçanta, zarzavatet, ndryshe nga i gjithë viti i pandemisë, këtë janar janë “zhvlerësuar” ndjeshëm, pasi rezultojnë 8.5% më të lira se janari i vitit të kaluar. Frutat ndërkohë vijojnë të jenë më të “kripura”, pasi janë 3.6% më të shtrenjta. Edhe pijet alkoolike vihen re në shtrenjtim të ndjshëm, 2.9% në terma vjetorë, tregojnë shifrat. Edhe produktet e bulmetit, rezultojnë të jenë 3.5% më të shtrenjta. Por, ndërkohë që çmimet e ushqimeve janë ato që ndihen drejtpërdrejtë nga qytetarët, pikërisht shtrenjtimi i tyre gjatë janarit, ka frenuar deflacionin në vendin tonë, një territor aspak i favorshëm për stabilitetin monetar. Veshjet dhe transporti ndërkohë rezultojnë në rënie të ndjeshme. Një ndër produktet që regjistron rritjen më të madhe të çmimeve gjatë janarit është peshku, me 4.1% rritje. Kjo tendencë ka qenë thuajse konstante gjatë muajve të krizës dhe duket se do të vijojë ende. Kjo trajektore justifikohet edhe me faktin se peshku është gjithmonë e më shumë i preferuar nga konsumatori shqiptar. Shifrat e tregtisë së jashtme për vitin 2020 tregojnë një rekord historik importesh të peshkut dhe produkteve të detit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Vlorë “mbretëron” pandëshkueshmëria, Gjirokastra, për t`u marrë shembull, habit Shkodra

Postimi mëparshëm

Trafiku ajror, Shqipëria më mirë se Europa. Pandemia, vetëm Norvegjia dhe Luksemburgu janë goditur më pak se ne

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *