Sociale

Shqipëria, e 4-ta në Europë me lindjet më të ulta/ Vetëm 1.31 lindje për grua, niveli më i ulët historik

0

Shqipëria vijon të regjistrojë shkallën më të ulët të lindshmërisë edhe për vitin 2021, krahasuar me vendet e Europës, tregojnë të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave”. Ky tregues regjistrohet në 1.31 lindje për grua dhe e rendit vendin tonë të katërtin në Europë, pra ndër vendet më shkallën më të ulët të lindshmërisë. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2021 regjistrohet në 1.53 lindje për grua, duke shënuar një rritje, krahasuar me vitin 2020. Të dhënat për vendin tonë paraqiten shumë alarmante duke marrë në konsideratë edhe shifrat në publikimin e “Institutit të Statistikave” mbi treguesit demografikë. Sipas INSTAT, lindjet në vendin tonë, gjatë vitit 2022, kanë prekur rekordin më të ulët në harkun kohor të 32 viteve. Nisur nga këto shifra, por edhe nga tendencat që po ndjekin shifrat e emigrimit apo aplikimeve për azil, duket se Shqipëria po shkon çdo vit e më shumë drejt shuarjes.

Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut kryeson me normën më të ulët të lindshmërisë pas Shqipërisë. Gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut regjistron 1.44 lindje për grua. Në rajon, me normën më të lartë të lindshmërisë, me 1.76 lindje është Mali i Zi. Pozicionimi i Malit të Zi jo vetëm është më pozitivi në rajon, por në Europë renditet i gjashti më normën më të lartë. Nga ana tjetër, Serbia regjistron një normë lindshmërie për vitin 2021 deri në 1.52 lindje për grua. Në Europë, Malta dhe Spanja kanë normën më të ulët të këtij treguesi dhe ndiqen nga Italia, duke u renditur kështu në fund të listës së vendeve të kontinentit të vjetër. Shkalla e lindshmërisë në Maltë është 1.13 lindje për grua, në Spanjë pranë 1.19 lindje për grua dhe në Itali në 1.25. Fill pas tyre ndjek Shqipëria, si vendi i 4-tët në Europë me numrin më të ulët të lindjeve. Nga ana tjetër e tabelës gjejmë Francën dhe Çekinë, të cilat janë vendet me normën më të lartë për vitin 2021, duke u renditur të parat në Europë. Franca regjistron 1.84 lindje për grua, ndërsa Çekia 1.83 lindje për grua.

Ndërkohë që shkalla e lindshmërisë në Bashkimin Europian ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë, të dhënat për vendin tonë janë pesimiste. Edhe një pjesë e mirë e vendeve të Europës paraqiten me rritje të këtij treguesi nga viti 2020 në vitin 2021. Vetëm katër vende, Shqipëria, Polonia, Portugalia dhe Lituania, kanë shënuar rënie të normës së fertilitetit. Sipas të dhënave, treguesi i shkallës së lindshmërisë në vendin tonë ka ardhur në rënie nga viti në vit, ku për vitin 2021 ka shënuar shkallën më të ulët në më shumë se dy dekada, që kur të dhënat janë publike. Në vitin 2010 shkalla e lindshmërisë në vendin tonë ishte 1.63 lindje për grua, ndërkohë që shkalla më e lartë është regjistuar në vitin 2001, me 2.31 lindje për grua, pra mbi nivelin e zëvendësimit. Në mënyrë që popullsia të shtohet dhe mos të tkurret duhet që norma sintetike e fekonditetit të jetë mbi 2.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

12,561 shqiptarë ikën me gomone në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-shin. Përbëjnë 28% të totalit

Postimi mëparshëm

Inflacioni na “fshiu” thuajse një pagë mujore/ Zbriti mbi 3600 lekë çdo muaj nga paga, zbuloni sektorët më të prekur

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.