Financë

Individët dhe bizneset zgjedhin huatë me afat mbi 5 vite/ Fokusi në blerjen e banesave dhe investimet strategjike

0

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë muajit qershor të vitit aktual u shpërndanë gjithsej 782 miliardë lekë në formën e huasë. “Scan Intel” ka analizuar shifrat e shpërndarjes së kredisë sipas maturitetit. Të dhënat flasin për 189 miliardë lekë hua afatshkurtër me maturitet deri në një vit, 117 miliardë lekë hua afatmesme me afat nga 1 deri në 5 vite dhe 475 miliardë lekë hua afatgjatë me afat maturimi mbi 5 vite.

Theksojmë se huatë afatshkurtra përdoren kryesisht për të mbuluar nevojat urgjente të likuiditetit, si pagesat e furnitorëve ose shpenzimet operative të përditshme. Nga ana tjetër, huatë afatmesme janë një mjet që përdoren për investime si blerja e pajisjeve ose zgjerimi i kapaciteteve prodhuese. Sa i përket huave afatgjata, ato janë kryesisht të destinuara për investime strategjike dhe projekte kapitale si ndërtimi i objekteve të reja apo zgjerimi i infrastrukturës së biznesit.

Nëse analizojmë alokimin e huasë drejt bizneseve sipas madhësisë së tyre, konstatojmë se biznesi i vogël mori 4.5% të huasë afatshkurtër, biznesi i mesëm mori 11.8% dhe biznesi i madh mori 25.8%. E njëjta ecuri vihet re edhe për huatë afatmesme dhe afatgjata, ku biznesi i madh ka huazuar më shumë para, por në tërësi subjektet kanë preferuar huatë afatgjata për shkak të aktivitetit ekonomik dhe qëllimit të investimit afatgjatë.

Po individët? Edhe për ta situata paraqitet e njëjtë, pasi vlera më e lartë e huasë i takon huave me afatmaturimi mbi 5 vite që konsiderohen hua afatgjata, më pas renditen huatë afatmesme dhe ato afatshkurtra. Ky fenomen tregon se edhe individët kanë tendencë të planifikojnë për të ardhmen dhe të marrin kredi për investime të mëdha, si blerja e një shtëpie ose financimi i arsimit të fëmijëve të tyre. Konkretisht, në muajin e gjashtë të vitit, individët iu drejtuan institucioneve bankare për marrjen e huasë afatshkurtër në vlerën 9.1 miliardë lekë, huaja afatmesme arriti në 26 miliardë lekë dhe ajo afatgjatë në 175 miliardë lekë.

Ndërkohë, trendi i huasë sipas maturitetit, edhe në terma mujorë edhe në terma vjetorë, paraqitet me rritje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Fluturimet, Shqipëria sërish kryeson Europën/ Sipas EUROSTAT jemi në vend të dytë me rritjen më të lartë

Postimi mëparshëm

Çfarë po ndodh me prodhimin vendas?/ Rritet importi i frutave dhe zarzavateve në 6-mujorin e parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.