Ekonomi

Fasoneria, “modeli” i eksporteve shqiptare/ Tekstilet përbëjnë 1/3 e produkteve “Made in Albania”, mallrat e përpunuara në total, 59%

0

Gjatë vitit 2021 eksportet e mallrave kanë kapur vlerën e 369 mld lekëve, ndërsa vlera për importet regjistrohet në rreth 801 mld lekë. Sa i përket ndryshimit vjetor, vlera e eksporteve të mallrave është rritur me 35.6% dhe po ashtu vlera e importeteve ka pësuar rritje me 32.3%. “Scan Intel” i ka përpunuar të dhënat më të fundit të “Institutit të Statistikave”, mbi tregtinë e jashtme sipas ndërmarrjeve, për të kuptuar se sa peshë ka secili grup në vlerën totale të eksporteve dhe importeve dhe si ka ndryshuar kjo vlerë nga viti 2020 në vitin 2021. Sipas shifrave peshën më të madhe në vlerën totale të eksporteve e kanë mallrat e përpunuara me 59%. Pra mund të themi se mallrat nga fasoneria zënë më shumë se gjysmën e peshës në vlerën totale të eksporteve. Zëri i dytë për nga pesha janë lëndët djegëse me 13.6% të totalit, ndjekur nga ushqimet dhe kafshët e gjalla me 9.7%. Nëse do ti referohemi kontributit të zërave në vlerën totale të importeve shohim se peshën më të lartë me 35% e kanë përsëri produktet e fasonerive, ndjekur nga makineri dhe pajisje transporti me 20.9%. Referuar po të dhënave të Institutit të Statitikave, mbi tregtinë e jashtme sipas seksioneve, tekstilet dhe artikujt tekstile si dhe veshjet e këmbëve së bashku zënë 30.49% të totalit në vlerë për vitin 2021. Peshën më të vogël në vlerën totale të importeve dhe eksporteve e zë grupi i yndyrnave bimore dhe shtazore, si dhe mallrat e paklasifikuara diku tjetër.

Po ashtu “Scan Intel” ka anlizuar ndyshimin vjetor të vlerës së grupeve për eksportin dhe importin. Vlera e eksporteve për lëndët djegëse është rritur me 118.9% gjatë vitit 2021, krahasuar me një vit më parë. Rritja e vlerës së eksporteve për produktet kimike vijon në renditje si e dyta më e lartë me 49.6%. Sa i përket mallrave nga fasonet, vlera e eksporteve për këtë kategori është rritur me 29.9%, ndërsa për ushqimet rritja rezulton në 14%. Referuar të dhënave për importet janë përsëri lëndët djegëse me rritjen më të lartë të vlerës në 98.1 ose e shprehur në vlerë absolute nga 22.9 mld lekë në 50.2 mld lekë. Vlera e importeve për produktet e fasonerive ka pësuar rritje me 29.8%.

Theksojmë se raporti i Institutit të Statistikave produktet e fasone i ka klasifikuar në dy grupe të cilat janë “Mallra të përpunuara” dhe “ Mallra të tjera të përpunuara”. “Scan Intel” për efekt të përpunimit të të dhënave këto dy zëra i ka grupuar në një i cili është “Mallra të përpunuara”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gjysma e huave, për ndërtim dhe tregti/ Kredia e re për biznesin, 52% vetëm për dy sektorë

Postimi mëparshëm

Euro e mbyll qershorin me tre rekorde/ Prek minimumin historik kundrejt lekut

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.