Financë

Euro në Gusht, luhatja e dytë më e madhe në histori/ Në kulmin e sezonit turistik u rrit me 5.2% kundrejt Lekut

0

Nga 31 Korriku i këtij viti, më 31 Gusht, monedha e përbashkët europiane është rritur me plot 5.2%, duke u ngjitur nga 102.9 lekë, në 108.2 lekë, pra 5.3 lekë rritje në harkun e një muaji. Nga analiza e shifrave rezulton se kjo është luhatja më e madhe mujore e monedhës së përbashkët europiane në tregun tonë të brendshëm valutor që prej Marsit të vitit 2020, kur niste pandemia, dhe e dyta më e lartë e regjistruan ndonjëherë që prej vitit 2002. Luhatje të këtyre përmasave euro nuk ka regjistruar asnjëherë më parë kundrejt lekut, qoftë në kahun rritës ashtu edhe në atë rënës.

Në Qershor të këtij viti euro binte me 3% dhe në Korrik me 3.4%, pas plot 6 muajve me radhë në rënie të lirë, kur monedha zbriti nga 116.5 lekë në Janar të 2023-shit, në vetëm 102.9 pikë në mesataren mes shitjes dhe blerjes në datën e fundit të muajit Korrik.

Nëse shohim mesataren e kursit mes euros dhe lekut përgjatë gushtit, pra jo çmimin në ditën fundit të muajit, vëmë re se fiksohet pranë 105.67 lekëve, nga diçka më shumë se 103 lekë që ishte kjo mesatare gjatë Korrikut.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dollarin amerikan, që është rritur me 6.8% gjatë Gushtit, duke regjistruar një prej luhatjeve më të mëdha në histori, paçka se dollari amerikan ka pasur më shpesh se euro periudha të tilla destabilizimi.

Ajo që bën çudi nga këto shifra është fakti se luhatja e dytë më e madhe mujore e euros në histori kundrejt lekut, në kahun rritës, ka ardhur në muajin Gusht, kur ka pasur një fluks të lartë turistësh, me gjasa më të lartin në histori. Periudha e stinës së verës karakterizohet nga një rënie e monedhave të mëdha në tregun vendas, sidomos euro, si pasojë e flukseve të larta të valutës nga turistët. Madje, fluksi turistik është etiketuar edhe nga organet qendrore dhe Banka e Shqipërisë si një prej arsyeve kryesore të rënies së euros në vendin tonë. Por, çuditërisht, këtë muaj Gusht ka ndodhur krejt e kundërta. Kjo trajektore mund të shpjegohet edhe me lëvizje të mëdha në tregun valutor nga aktorë të mëdhenj në treg, paçka se diçka e tillë mbetet për t`u parë në vijim.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Vetëm 7 vende nuk e kanë “shkelur” Shqipërinë këtë vit/ Habit Instat! 1872 koreano-veriorë na kanë vizituar në 7 muaj, më shumë se koreano-jugorët

Postimi mëparshëm

Instat korigjon veten/ Rregullon shifrat e origjinës së turistëve pas shkrimit të `Scan Intel`

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.