EkonomiEnergji

Energjia e rinovueshme, 44% e totalit/ Rritet krahasuar me vitin 2021, mbetemi të parët në rajon

0

Publikimi i “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi statistikat e energjisë së rinovueshme tregon se energjia që vjen nga burimet e rinovueshme paraqitet në rritje për vendin tonë sa i përket vitit 2022. Ndëkohë që një vit më parë ky tregues ishte në rënie, duket se në vitin 2022 energjia e rinovueshme ka fituar terren. Gjatë vitit 2021, ishte 41.38% e energjisë që vinte nga burimet e rinovueshme, ndërsa gjatë vitit 2022 ky tregues është ngjitur në 44.07%. Sipas të dhënave mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2022 është 23.02%. Krahasuar me vitin 2021 kjo përfaqëson një rritje prej 1.1 pikë përqindje.

Direktiva për energjinë e rinovueshme ka rishikuar objektivin e BE-së për vitin 2030 nga 32% në 42.5%, me synimin për ta rritur atë në 45%. Sipas raportit, vendet e BE-së duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kolektivisht objektivin e ri të BE-së për vitin 2030, i cili kërkon rritjen e pjesës së burimeve të rinovueshme të energjisë në konsumin bruto të energjisë finale të BE-së me pothuajse 20 pp.

Në Shqipëri, 102.96% e energjisë elektrike e konsumuar gjatë vitit 2022 rrjedh nga burime të rinovueshme. Në vitin 2021 ky tregues ishte pranë 94.4%. Pra në vitin 2022, ky tregues shihet të ketë shënuar rritje të ndjeshme me gati 8 pikë përqindje. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për burimet e rinovueshme të energjisë të konsumuara në transport, në vendin tonë vetëm 0.41% e kësaj energjie është e rinovueshme dhe nëse do ta krahasonim këtë tregues me vitin 2021, të dhënat përsëri flasin për rritje. Por sa përqind e energjisë së konsumuar për ngrohje dhe ftohje është e rinovueshme? Shifrat tregojnë se përgjatë vitit 2022 ky tregues në vendin tonë fiksohet në 22.08%, nga 21.2% që ishte gjatë vitit 2021.

Shqipëria renditet mes vendeve të para të Europës dhe rajonit për nivelin më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që në nivel rajoni, Shqipëria renditet e para me nivelin më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme. Ndërkohë, vendi më nivelin më të lartë në Europë është Norvegjia me 75.82% të energjisë e cila vjen nga burimet e rinovueshme. Suedia ndjek midis vendeve të BE-së me gati dy të tretat, ose 66.0% të konsumit të saj bruto të energjisë finale në vitin 2022 që rrjedh nga burimet e rinovueshme. Suedia mbështetej kryesisht në hidro, erë, biokarburantet e ngurta dhe të lëngshme, si dhe në pompat e nxehtësisë. Finlanda me 47.9% pasoi duke u mbështetur gjithashtu në hidro, erë dhe biokarburantet e ngurta.

Në nivel rajoni, vendi i dytë pas Shqipërisë është Mali i Zi, me 39.94% të energjisë të prodhuar nga këto burime. Serbia është e treta e renditur në nivel rajoni dhe ndiqet nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut, me 27.08%, 18.78% dhe 18.68% përkatësisht.

Shqipëria renditet e dyta në Europë më përqindjen më të lartë të energjisë elektrike e cila rrjedh nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që në vend të parë është Norvegjia, ndërsa mestarja e Bashkimit Europian është 41.17%. Nga ana tjetër, Shqipëria e humb pozicionin e saj sa i përket energjisë së rinovueshme e përdorur në transport apo për ngrohje dhe për ftohje. Për energjinë e rinovueshme të përdorur për transport dhe ngrohje e ftohje renditemi poshtë mesatres së Bashkimit Europian.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat i rikthehen rënies/ Tkurren në Nëntor me 10 miliardë lekë, “përgjegjëse” janë kursimet në valutë

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri, gati 1 në 4 banorë është pensionist/ Gjirokastra më e plakura, Kukësi dhe Tirana janë qarqet më të reja

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.