EkonomiRaporte

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.3%/ Instituti i Vienës: Projeksione optimiste, por mungesa e fuqisë punëtore, problem

0

“Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e verës për vitin 2023 duke e lënë të pandryshuar normën e rritjes ekonomike, krahasuar me projeksionet e pranverës së këtij viti të publikuara në muajin prill. Referuar të dhënave të buletinit të fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3% këtë vit. Nga ana tjetër, sipas raportit, për vitin 2024 dhe 2025 të dhënat vijojnë një trajektore pozitive duke parashikuar një rritje prej 3.8% dhe 4% përkatësisht. Megjithatë, qeveria shqiptare e ka parashikuar rritjen ekonomike për këtë vit në 3.7%, rreth 0.4 pikë më e lartë se projeksionet e Institutit të Vienës.

“Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” parashikon se Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova pritet të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin aktual, por edhe për dy vitet e ardhshme. Theksojmë se për Kosovën Prodhimi i Brendshëm Bruto, për vitin 2023, pritet të zgjerohet me 3.4%, ndërkohë kjo rritje për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3.9% dhe 4.1%. Të dhënat tregojn se parashikimet për rritjen ekonomike të Kosovës kanë rënë me 0.2 pikë, krahasuar me projeksionet e pranverës.

Instituti i Vienës, sipas parashikimeve, thotë se vendi me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përgjatë vitit 2023 pritet të jetë Serbia me vetëm 1.3%. Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ndërkohë projektohet të zgjerohet këtë vit me 1.6% dhe ajo e Bosnje Hercegovinës me 1.5% .Ajo që vihet re krahasuar me parashikimet e pranverës është rritja e treguesit për Malin e Zi, nga 2.9% në 3.5% në projeksionet e verës, duke kryesuar kështu rajonin.

Parashikimet për Shqipërinë janë pozitive edhe sa i përket çmimeve të konsumit, por mbeten të pandryshuara, krahasuar me projeksionet e pranverës dhe vjeshtës. Për vitin 2023, sipas Institutit të Vienës, është parashikuar që norma e inflacionit të zbresë në 4%, ndërsa për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3% dhe 2.5%. Sipas të dhënave, Shqipëria do jetë vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023. Mesatarja e vendeve të rajonit sa i përket normës së inflacionit parashikohet në 9.5%, ndërkohë që vendi i cili do të regjistrojë normën më të lartë është Serbia me 12% dhe Mali i Zi me 9.7%. Nga ana tjetër, treguesi i papunësisë për Shqipërinë sipas raportit vlerësohet në 10% për vitin 2023, duke u përmirësuar akoma që nga projëksionet e pranverës.

Sipas raportit rritja ekonomike do të mbështetet kryesisht nga konsumi privat, investimet dhe një bum në turizëm, ndërkohë që inflacioni, edhe pse në rënie, pritet të nxitet kryesisht nga produktet ushqimore, çmimet e të cilave ishin ende në rritje me ritme dyshifrore në pesë muajt e parë të 2023. Ndër të tjera në raport thuhet se sektori bankar ka vazhduar të performojë mirë. Kërkesa për kredi është zgjeruar më tej, e nxitur kryesisht nga individët, ndërkohë që kreditë me probleme kanë vazhduar të bien. Një problem që theksohet është mungesa e fuqisë punëtore dhe e aftësive, ndërkohë që emigracioni vazhdon.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa na kushton shkollimi i një mjeku? 36 mijë euro për 6 vite studime. Tarifat e shkollimit janë sa 6-8% e kësaj kosto

Postimi mëparshëm

Shqipëria, në krye të rajonit për investime/ Investimet e huaja në hyrje, të dytët pas Serbisë. Investimet tona jashtë, të parët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.