Financë

Cilat biznese marrin më shumë kredi? Tregtia, ndërtimi dhe industria përpunuese, por në 5 vitet e fundit kanë ulur “dominimin”

0

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vihet re një rritje e huave të reja të disbursuara gjatë tetorit drejt bizneseve dhe korporatave jofinanciare private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik. Kështu, gjatë muajit tetor flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 13.27 mld. Megjithatë, vlen për tu theksuar që rritja e muajit tetor është mjaft e vogël, me vetëm 1.5% krahasuar me shtatorin e këtij vitit, ose e thënë në vlerë absolute një rritje me vetëm 197 mln lekë.

Më konkretisht, gjatë 10 mujorit të 2022-shit vlera totale e huave të reja shkon në 151.3 mld lekë, krahasuar me 129.9 mld lekë të shpërndara si hua për biznese të sektorëve të ndryshëm ekonomik për 2021-shin. Përgjatë viteve 2020 dhe 2021, ky tregues ka qënë në ulje duke treguar ngadalësim në dhënien e kredive, por sipas shifrave të fundit duket sikur financimi me kredidhënie për bizneset dhe korporatat jo financiare në vend ka pësuar rritje. Përgjatë këtij viti, vetëm muajt prill, maj dhe shtator kanë pësuar ulje të nivelit të kredidhënies, ndërkohë që shtatë muajt e tjerë janë shoqëruar me rritje.

Përsa i përket sektorëve që janë mbështetur më së shumti nga kreditë e shpërndara gjatë 2022-shit shohim që mbizotëron sektori “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” me 32.6% ose 49.36 mld lekë, ku krahasuar me 5 vite më parë zinte 44.1%, duke pësuar një ulje prej 11.45 pikë përqindje. tregtia, pavarësisht se qëndron në vend të parë ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Në 2017-tën, tregtia merrte rreth 76 miliardë lekë kredi në 10 muajt e parë, ndërsa këtë vit ka zbritur në vetëm 49.3 miliardë lekë. Për ndërtimin, analiza e shifrave tregon se ka regjistriar një rritje të ndjeshme dhe progresive gjatë 5 viteve të fundit, duke regjistruar edhe rekordin historik gjatë vitit 2022. Në vitin 2017 ndërtimi merrte rreth 22.3 miliardë lekë hua për 10 muajt e parë të vitit, ndërkohë që këtë vit është financuar me plot 30.6 mld lekë.“Ndërtimi” është sektori i dytë në nivel huash të reja, me 20%, duke pësuar një rritje me 7.23% në këto pesë vitet e fundit. Peshë të konsiderueshme të kredive të reja zënë “Industria përpunuese”, me 11.4% dhe “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 10.1%, ku kjo e fundit ka pësuar një rritje me 1.02 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017. Edhe sektori i informacionit dhe komunikacioni ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë 5 viteve të fundit sa i përket nevojave për financim, pavarësisht se qëndron në vlera ende të ulta.

Pjesa tjetër e sektorëve mbulojnë vetëm 21.07% të kredive, ku sektorë si “Aktivitete të tjera shërbimi”, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, “Informacioni dhe komunikacioni”, “Transporti dhe magazinimi”, “Bujqësia, Pyjet, Peshkimi” dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtëshme” përbëjnë nga 1% deri në 7% të kredive të financuara.

“Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm”, “Aktivitete të familjeve si punëdhënës; Aktivitete të prodhimit të mallrave e shërbimeve të familjeve për përd. e vet” apo dhe “Aktivitete të organizatave dhe organizmave ndërkombëtare” përbëjnë një përqindje shumë të vogël të kredive të dhëna përgjatë 2022, që shkon në total deri 0.02%.

Tendenca e shpërndarjes së kredive sipas sektorëve ekonomik duket e qëndrueshme në kohë, nëse e krahasojmë me 5 vite më parë, dhe po të njejtët sektorë vijojnë të marrin pjesën më të madhe të huave bankare në vend.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Moody`s “rrëzon” ekonominë shqiptare/ Shkurton projeksionet dhe jep alarmin për rrezikun nga përmbytjet dhe emigrimi

Postimi mëparshëm

Numri i aplikimeve për azil afrohet pranë 10,000/ Gjatë nëntë muajve rreth 27% më shumë se vitin e kaluar, Shqipëria kryeson rajonin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.