Ekonomi

Blegtoria, Shqipëria me rënien më të madhe në Europë/ Deri në 32% më pak krerë në 7 vite, mbi 8 herë më shumë se mesatarja e BE

0

“Scan Intel” ka analizuar statistikat publike për të kuptuar nëpërmjet shifrave realitetin e blegtorisë shqiptare dhe rënien e qendrueshme dhe drastike nga viti në vit. Madje, për të kuptuar se si qëndron realiteti do të bëjmë një krahasim edhe me vendet e tjera të Europës, nëpërmjet shifrave të Eurostat. Sipas Instat, numri i krerëve që nga vitit 2014 ka rënë ndjeshëm, për gjedhët me 32.6%, për lopët me 22.4%, për delet me 21.3%, për dhitë me 13.8%, derrat me 7.7%, apo pulat me 21%. Thuajse të gjitha kategoritë regjistrohen në rënie të krerëve nga viti 2014 në vitin 2021, me përjashtim të bletëve, në rritje me 37.2% sa i përket numrit të koshereve dhe dosave, por që regjsitrohen në nivele thuajse të papërfillshme.

Por, si qëndron situata krahasuar me vendet e tjera të Europës? Shifrat e Eurostat, në të cilat përfshihet edhe Shqipëria, kanë një kategorizim disi tjetër. Sa i përket gjedhëve, kryesisht lopët për blegtori të cilat shërbejnë vetëm për mish konsumi, numri i krerëve në Shqipëri ka rënë nga rreth 500 mijë në vitin 2014, në vetëm 337 mijë në vitin 2021. Pra, në rënie me plot 32.6%. Kjo është rënia më e madhe në rajon dhe në Europë, sipas shifrave të Agjencisë Europiane të Statistikave. Në Bashkimin Europian në total gjatë kësaj periudhe kohore numri i krerëve ka rënë me vetëm 3.9%, sinjalizojnë shifrat. Sa i përket i përket lopëve për qumësht, në Shqipëri rënia gjatë kësaj periudhe kohore fiksohet në 23%. Kjo rënie është e 4-ta më e madhe në Europë, pas Lituanisë, Kroacisë dhe Greqisë, por të treja këto shtete kanë një peshë më të ulët se Shqipëria. Pra, mes shteteve me numrin më të lartë të lopëve për qumësht, Shqipëria regjistron rënien më të madhe në Europë gjatë 7 viteve në analizë.

Ndërkohë, sa i përket derrave vëmë re një situatë disi ndryshe. Në Shqipëri numri i krerëve ka rënë me rreth 7.6% sipas Eurostat që prej vitit 2014, nga 172 mijë krerë, në 159 mijë. Kjo rënie nuk është aspak ndër më të lartat në kontinentin e vjetër, por mbi mesataren e unionit, që fiksohet pranë -1.5%. Por, kjo mesatare e ulët në union vjen falë Spanjës, shtetit që regjiston edhe numrin më të lartë të krerëve dhe në rritje me rreth 30% gjatë kësaj periudhe kohore.

Edhe shifra të tjera nga Instituti i Statistikave, por edhe nga Eurostat sa i përket prodhimit blegtoral flasin për një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit të blegtorisë në vendin tonë, duke shtuar jo vetëm presionin dhe varësinë nga importi, por edhe duke humbur në mënyrë të qendrueshme një pjesëz jo të parëndësishme të ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, rritja e varësisë nga importi sjell rritje të çmimeve dhe pikëpyetje të mëdha në lidhje me cilësinë dhe sigurinë ushqimore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria përkeqësohet në liritë njerëzore- Indeksi/ Pavarësisht rënies me 5 pozicione mbetemi të parët në rajon

Postimi mëparshëm

Korrupsioni, Shqipëria më keq se 6 vite më parë/ Transparency International: Përmirësim me vetëm 1 pikë, renditet e 101-ta në botë për vitin 2022

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.