Barazi Gjinore

Tregu i punës në funksion të meshkujve/ Hendeku gjinor në vend, diferencë e lartë mes punësimit të dy gjinive

0

Në vitin 2022, hendeku gjinor i punësimit në Shqipëri llogaritet në 12.4 pikë përqindje dhe sipas të dhënave të ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’ ky tregues na rendit mes vendeve të para në Europë. Ndërkohë, në BE hendeku gjinor i punësimit llogaritet në 7.9 pikë përqindje. Por si matet ky tregues? Hendeku gjinor i punësimit përkufizohet si diferenca ndërmjet normave të punësimit të meshkujve dhe femrave të moshës 15 deri në 64 vjeç.

Norma e punësimit tek femrat në Shqipëri, për vitin 2022, llogaritet në 58.9%, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 66.8%. Shqipëria renditet në vend të pestë nga fundi në Europë sa i përket normës së punësimit, ndërkohë që Serbia, Rumania, Greqia dhe Italia renditen si vendet me normën më të ulët në Europë. Nga ana tjetër, Islanda, Holanda dhe Zvicra janë vendet me normën më të lartë të punësimit tek femrat, përkatësisht me 81.2%, 78.1% dhe 75.4%.

Sa i përket normës së punësimit te meshkujt, sërish Shqipëria renditet mes vendeve të fundit me 71.4% dhe poshtë mesatares së Bashkimit Europian, e cila vlerësohet në 74.7% për vitin 2022. Ajo që vihet re nga analiza e të dhënave është fakti se në të gjitha vendet europiane norma e punësimit te meshkujt është më e lartë se tek femrat. Shqipëria me një hendek prej 12.4 pikë përqindje renditet e gjashta në Europë mes vendeve me hendekun më të thellë. Ndërkohë, Greqia dhe Italia kryesojnë Europën me një hendek në punësim prek 19.1 pikë dhe 18.1 pikë përqindje.

Por cilat janë vendet e Europës të cilat kanë hendekun më të ulët? Sipas të dhënave të ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’ Lituania dhe Finlanda janë vendet me hendekun më të ulët, përkatësisht me 0.8 pikë dhe 0.3 pikë përqindje.

Një sërë arsyesh kanë shkaktuar pabarazi gjinore në punësim ndër vite, të tilla si diskriminimi në punësim dhe pjesëmarrja e ulët e grave në vendimmarrje apo faktorë të tillë si kujdesi për fëmijët apo puna e papaguar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shëndetësia, Shqipëria e fundit në rajon/ Eurostat: Shpenzimet sa 3.1% e PBB-së, mesatarja e BE-së rreth 8.5%

Postimi mëparshëm

Studentët shqiptarë në Amerikë/ Kryesojmë rajonin me 1,087 të rinj që studiojnë në SHBA, rreth 4.3% më shumë të diplomuar se vjet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.