Tregu i Punës

Afro 42,000 punonjës janë të siguruar me pagë minimale/ Informaliteti më i lartë në sektorin e hotelerisë dhe ndërtimit

0

Në kuadër të planit të fundit operacional të shpallur nga Qeveria për luftën kundër informalitetit, do të ngrihet një task forcë për kryerjen e investigimeve në terren. Kjo strukturë ka si qëllim kryesor identifikimin e subjekteve që nuk deklarojnë punonjësit në skemën e sigurimeve shoqërore dhe që nuk raportojnë pagën reale të tyre. Sipas ligjit “Për inspektimin e punës” (i ndryshuar), punësimi informal përkufizohet si një marrëdhënie punësimi që nuk përmbush kërkesat ligjore dhe është jashtë rregullimeve ligjore.

Informaliteti në tregun e punës shfaqet në forma të ndryshme. Të dhënat më të fundit nga “Inspektorati Shtetëror i Punës” tregojnë se numri i punonjësve informalë ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Konkretisht, në vitin 2021 janë evidentuar 1,092 punonjës informalë, ndërsa në vitin 2022 ky numër u rrit në 1,799. Në vitin 2023, ishin identifikuar 1,965 punonjës informalë gjatë inspektimeve, duke shënuar një rritje prej 9.2% në krahasim me vitin e kaluar.

Një nga format më të përhapura të informalitetit është punësimi pa marrëveshje të shkruar. Gjatë kësaj periudhe, janë identifikuar gjithsej 2,502 punëmarrës pa kontrata individuale pune. Pas analizës së “Scan Intel” rezulton se sektorët privatë, veçanërisht si tregtia, hoteleria dhe bar-restorantet, kanë shënuar përqindjen më të lartë të punonjësve pa kontrata me 3%. Pas tyre vjen sektori i ndërtimit me 2.7% dhe sektori i elektricitetit, gazit dhe ujit me 1.1%. Këto të dhëna tregojnë një përqëndrim të lartë të informalitetit në këto aktivitete ekonomike.

Nga ana tjetër , në total, janë gjithsej 41,947 punëmarrës të deklaruar me pagë minimale. Në aktivitetet private të inspektuara gjatë vitit 2023, rezulton se 20% e punëmarrësve janë deklaruar me pagë minimale. Kur i kategorizojmë punëmarrësit sipas sektorit, bujqësia është më e keqpaguar, me 37% të punonjësve të siguruar me pagë minimale, ndjekur nga tregtia dhe ndërtimi, ku përkatësisht 29% dhe 28% e punonjësve janë të siguruar me pagë minimale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rreth 1.7 milionë netë qëndrime në gusht/ Gati 92% e turistëve u akomoduan në hotele, kryesisht në zonat bregdetare

Postimi mëparshëm

Sa lekë “derdhën” shqiptarët në restorante dhe hotele? Reth 620 milionë euro në vitin 2023, ose 240 milionë më shumë se para pesë vitesh

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.