Sezoni i verës regjistron shifra rekord sa i përket lëvizjes së shtetasve referuar të dhënave zyrtare për muajin qershor. Hyrjet e shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë, gjatë muajit qershor të këtij viti, kanë tejkauar shifrat e muajit qershor të shtatë viteve të fundit. Të dhënat e “Institutit të Statistikave” tregojnë se përgjatë qershorit numri i shtetasve të huaj të cilët kanë hyrë në territonin e vendit tonë janë rreth 1 mln. Krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë ky tregues rezulton të jetë rritur me 15%. Nga ana tjetër, referuar hyrjeve gjithsej shohim se numri i tyre është rritur me 16.3% dhe regjistrohen për muajin qershor rreth 1.5 mln hyrje nga ku 574,698 janë hyrje nga shtetas shqiptarë. Rritje e hyrjeve regjistrohet edhe nëse do të flisnim në terma gjashtëmujorësh. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjysma e parë e vitit është shoqëruar me një valë në rritje të turistëve. Shifrat në harkun kohor të gjashtë muajve tregojnë se hyrjet gjithsej regjistrohen në 6.2 mln nga ku rreth 3.4 mln janë shtetas të huaj dhe 2.9 mln hyrje nga shtetas shqiptarë. Rritja e hyrjeve gjithsej përgjatë gjashtë muajve është 31,9%, ndërkohë që hyrjet nga shtetas të huaj po gjatë kësaj periudhe janë rritur me 33%.
Nëse i referohemi daljeve nga territori i Shqipërisë, sipas shifrave numri i tyre gjithsej për muajin qershor është rreth 1.5 milion dhe ka shënuar rritje me 18%. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2023 janë 576,383. Krahasuar me Qershorin e vitit 2022, ky tregues është rritur me 15.5%. Po të flasim në terma gjashtëmujorësh numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë është 3,024,102, duke u rritur me 20.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Qershor të vitit 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 954,389 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 30,082 dhe 8,971 shtetas. Nëse i analizojmë shifrat sipas vendeve numrin më të lartë të hyrjeve e regjistrojnë shtetasit nga Kosova me 421 mijë hyrje. Pason Italia me rreth 90 mijë, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, Greqia dhe Gjermania. Hyrjet nga Kosova janë rritur me 6.9%, ndërsa nga Italia me 107%.
“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë sipas qëllimeve. Hyrjet për qëllime personale regjistrohen më shumë në numër se ato për qëllime profesionale, por për të dy qëllimet numi i hyrjeve ka shënuar rritje. Në grupin e hyrjeve personale, rritjen më të lartë e ka regjistruaar udhëtarët transit me 81.6%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments