Ekonomi

6 në 10 familje nuk kursejnë dot/ Vetëm 38% munden, me kursimet që shkojnë për pleqërinë dhe edukimin e fëmijëve

0

Thuajse 6 në 10 familje shqiptare nuk mund të kursejnë, tregojnë të dhënat më të fundit nga një vrojtim i Bankës së Shqipërisë, por që i referohet periudhës para krizave, pra në vitet 2018-2019. Kështu, shifrat tregojnë se 62% e familjeve në vendin tonë nuk kursejnë, dhe vetëm 38% mund t`ia dalin. Pavarësisht se konteksti i këtyre shifrave është jashtë aktualitetit të kohës ku gjendemi, japin një panoramë të qartë të normalitetit të familjeve shqiptare. Nga këto të dhëna rezulton gjithashtu se, familjet me 3 anëtare kursejnë më shumë se të tjerat, ndërsa ato me vetëm një anëtar kursejnë më pak. Nga ana tjetër, ndër familjet me të ardhurat më të ulta, që përbëjnë 20% të familjeve në total, 83% e tyre nuk arrijnë të kursejnë, ndërkohë që ndër familjet më të pasura, që përbëjnë gjithashtu rreth 20% të totalit, 57% e tyre ja dalin të kursejnë.

Gjithashtu, të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, familjet ku kryefamiljari (personi i referencës) është deri në moshën 34 vjeç, kanë më shumë gjasa të kursejnë, ndërsa familjet ku kryefamiljari është mbi 75 vjeç kanë më pak gjasa të kursejnë. Referuar statusit të punësimit të kryefamiljarit, në rast se është i punësuar, gjasat për kursim janë më të larta, ndërkohë që gjasat më të vogla janë në ato familje ku kryefamiljari është i papunë, si dhe pensionist. Ndërkohë, sa i përket edukimit, familjet me kryefamiljarin me arsim të lartë kanë thuajse dy herë më shumë gjasa të kursejnë se ato ku kryefamiljari është vetëm me arsim fillor, 59% kundrejt 30%.

Nga ana tjetër, të dhënat e vrojtimit sinjalizojnë edhe arsyet që i shtyjnë ato familje të cilat kanë mundësi, që të kursejnë. Kursimet për pleqërinë dhe edukimi i fëmijëve është arsyeja kryesore për 52% të familjeve, ndërkohë që për pushime apo udhëtime shprehen 30% e familjeve. Ndërkohë, për blerjen e një shtëpie, për investime financiare apo hapjen e një biznesi, norma është rreth 10%. Rreth 15% e familjeve që kursejnë ndërkohë, shprehen se shlyerja e borxheve është arsyeja kryesore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza, bizneset “ulin qepenat”/ 25.5% më shumë subjekte të mbyllura në kryeqytet gjatë tremujorit të parë të vitit

Postimi mëparshëm

Komisioni Europian “zhvlerëson” Shqipërinë/ Rritja ekonomike këtë vit, vetëm 2.7%. Energjia mban nën “presion” projeksionet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.