Tregti

Zhvlerësimi i euros ‘gropos’ eksportet/ Në gusht rënia rreth 22%, edhe importet në të njejtën trajektore

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se eksportet në muajin Gusht kanë regjistruar një rënie të konsiderueshme me plot 22%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, vlera e tyre arriti në 27 miliardë lekë dhe rënia vërehet edhe në terma mujorë me 27.4%, krahasuar me korrikun. Eksportet vijojnë të ‘fundosen’ si pasojë e nënçmimit të euros, por edhe nga ndikimi i ritmeve më të ngadalta të inflacionit thotë “Instituti i Statistikave”.

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe importet paraqiten më rënie në Gusht. Importet e mallrave arritën vlerën 68 mld lekë, duke u ulur me 15.0%, në krahasim me një vit më parë dhe me 4.1%, në krahasim me Korrikun e vitit 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 40 mld lekë, duke rënë me 9.5%, krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar dhe duke u rritur me 22.9%, në krahasim me Korrikun e këtij viti.

Edhe në terma tetëmujorë eksportet praqiten me rënie, krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar. Eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke pësuar rënie me 8.6% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 577 mld lekë, duke u ulur me 5.0%.

Por cilat grupe kanë kontribuar në rënien e eksporteve në vlerë? Përgjatë mujit Gusht të këtij viti , në uljen e eksporteve prej 21.9%, kanë ndikuar kryesisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 14.3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 3.8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me 1.3 pikë përqindje. Po ashtu negativisht ndikuan grupet “Ushqime, pije, duhan” me 0.9 pikë dhe “Minerale e lëndë djegëse” me 0.8 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi “Produkte kimike dhe plastike” me 1.1 pikë përqindje.

Një drejtim krejt ndryshe në Gusht të këtij viti kanë patur eksportet në volum. Sipas të dhënave të analizuara nga ‘Scan Intel’ eksportet kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në peshë, krahasuar më një vit më parë, me rreth 19.7%. Ky ndryshim i atribuohet kryesisht rënies së çmimeve. Nga ana tjetër, importet paraqiten me rënie në volum me 1.3%.

Nëse analizën do ta përqëndrojmë te ndryshimi vjetor në peshë i secilit grup, shohim se rritja më madhe për muajin Gusht vërehet në grupin e hidrokarbureve me 31%, pasuar nga produktet kimike dhe plastike me 29%. Me rritje në volum vërehen edhe materialet e ndërtimit me 3.3%, krahasuar me Gushtin e një viti më parë. Rënien më lartë ndërkohë e kanë regjistruar artikujt prej lëkure me 59%, pasuar nga prodhimi i drurit me 34%.

Në muajin Gusht, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rënien më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gushtin e vitit që lamë pas janë: Italia me 15.5%, Spanja me 64.4% dhe Gjermania me 42.0%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë Kosova me 27.9% dhe Greqia me 32.2%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gushti rrit numrin e aksidenteve/ Përgjatë sezonit veror 7.3% më shumë se vjet, edhe numri i të aksidentuarve me 18% rritje

Postimi mëparshëm

Turizmi “nuk di të përmbahet”! Konfirmohet rekord i ri në korrik, rreth 1.2 milionë netë qëndrime në strukturat akomoduese

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.