Financë

Vit krize, por €529 mln më shumë në banka/ Depozitat u rritën në 2022-shin, por vetëm në valutë, në tkurrje ato në lekë

0

Viti 2022 është mbyllur me 1.277 trilionë lekë depozita në paranë e gjerë, sinjalizojnë shifrat e Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me Dhjetorin e vitit 2021, rritja fiksohet në 5%. Kjo rritje rezulton të jetë më e ulët se dy vitet pararendëse, duke qenë se në 2021-shin depozitat bankare rriteshin me plot 9.3% dhe në 2020-ën me 8.3%. Gjithsesi, duke pasur parasysh edhe faktin se vitit 2022 ka qenë viti i krizës, rritja e depozitave me hapin më të madh që nga 2019-ta, duket një sinjal i mirë, për ekonominë dhe sektorin bankar në tërësi.

Shifrat e analizuara nga `Scan Intel` në lidhje me depozitat tregojnë se, në vlerë monetare depozitat në paranë e gjerë gjatë vitit 2022 janë rritur me plot 61.38 miliardë lekë. Pra, bëhet fjalë për thuajse 529 milionë euro më shumë në banka, në një vit krize, ku inflacioni ka goditur thuajse çdo sektor dhe segment të ekonomisë, që nga individët e deri te bizneset. Vetëm vitet 2007 dhe 2019 regjistrojnë rritje më të madhe absolute vjetore se 2022-shi sa i përket depozitave në paranë e gjerë, të paktën që prej vitit 2002, kur edhe ndalen shifrat publike.

Për të kuptuar nëse janë rritur realisht paratë në qarkullim në një vit krize, apo ka qenë thjesht një tendencë për t`i depozituar ato në banka, kalojmë te analiza e agregatëve monetarë. Indikatori që mat paranë në qarkullim jashtë bankave tregon se ritmi në 2022-shin nuk ka ndryshuar aspak. Ky tregues është rritur me vetëm 5.8% gjatë vitit të kaluar. Po kaq, pra 5.8% është norma mesatare e rritjes së këtij treguesi përgjatë 19 viteve pararendëse, pra nga 2003-shi. Depozitat në paranë e gjerë i referohen depozitave në banka, llogari rrjedhëse, llogari me afat dhe pa afat, në lekë e në valutë. Por, situata ndryshon tërësisht nëse të dhënat i analizojmë sipas valutës. Në lekë, depozitat në paranë e gjerë kanë rënë gjatë vitit të kaluar, paçka se në vlerë të vogël, me vetëm 636 milionë lekë, ose -0.1%. Kjo është rënia e parë që prej vitit 2018 e depozitave në lekë, të cilat në Dhjetor të vitit 2022 fiksohen në 551 miliardë lekë, nga rreth 552 miliardë lekë që ishin në Dhjetor të vitit 2021. Nga ana tjetër, krejt e kundërta ka ndodhur me depozitat në paranë e gjerë në valutë. Këto të fundit janë rritur me plot 9.3%, dhe që është rritja e dytë më e lartë në një dekadë, pas vitit 2021. Depozitat në valutë janë ngjitur pranë 725 miliardë lekëve në Dhjetor 2022, nga 663 miliardë lekë që ishin në Dhjetor të vitit 2021. Madje, duke pasur parasysh edhe zhvlerësimin e ndjeshëm të euros, kundrejt monedhës vendase, depozitat në valutë janë rritur më shumë se kaq, pasi për efekt statistikor ato shprehen në lekë në statistikat publike.

Pra, shifrat tregojnë se viti 2022, ai i krizës së çmimeve ka sjellë një rritje të depozitave në paranë e gjerë me mbi 5%, ose rreth 61.4 miliardë lekë, por se kjo rritje ka ardhur vetëm si pasojë e kursimeve në valutë. Depozitat në lekë janë tkurrur, dhe kryesisht këto të fundit i referohen individëve, të punësuarve, bizneseve të vogla, pra shtresës së varfër dhe të mesme. Pra, 529 milionë eurot shtesë në banka gjatë vitit të kaluar, janë vetëm në valutë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi global i bujarisë, Shqipëria e 96-ta në botë/ Renditemi si vendi “më pak bujar” në rajon, dhe i parafundit në botë për vullnetarizmin

Postimi mëparshëm

Viti 2022, me kreditim rekord/ Rreth €120 mln më shumë hua se viti 2021. Vetëm për blerje banese u dhanë €400 mln

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.