Turizëm

“Vala” e re e vizitorëve, më shumë turistë nga Afrika dhe Azia/ Në prill, rritet numri i turistëve nga kontinentet e largëta

0

Statistikat e lëvizjes së shtetasve për muajin prill të këtij viti, të publikuar nga “Instituti i Statistikave”, paraqesin një rritje të këtij treguesi krahasuar me muajin Prill të vitit 2023. Konkretisht, në muajin e katërt të vitit, rezulton të kenë hyrë në territorin shqiptar afërsisht 1.41 milionë shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka shënuar një rritje me 20.8%, krahasuar me një vit më parë.

Nëse shqyrtojmë shifrat për tipologjinë e shtetasve që kanë hyrë në shqipëri gjatë kësaj periudhe rezulton se 609,351 ishin shtetas shqiptarë ose 11.3% më shumë se vitin e kaluar. Nga ana tjetër, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 794,129. Ky numër është rritur me 29.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Nëse analizën e zgjerojmë duke marrë në konsideratë të dhënat e 4-mujorit të parë të këtij  viti, konstatojmë se gjithsej në territorin shqiptar kanë hyrë 4.5 milionë shtetas ku 51.1% e tyre ishin shtetas të huaj. Po ashtu, numri i  hyrjeve dhe daljeve nuk kanë shumë diferencë, shifrat tregojnë se afro 1.4 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë dalë nga territori i republikës së Shqipërisë gjatë muajit prill, duke shënuar një rritje vjetore me 22.2%.

Sipas të dhënave që lidhen me origjinën e shtetasve, shifrat tregojnë se mbizotërojnë turistët nga Evropa Jugore dhe Perëndimore, por rritjen më të lartë e shënuan turistët nga Afrika dhe Azia e Jugut. Në muajin prill 2024, erdhën 149.8% më shumë të huaj nga Afrika dhe 82.8% më shumë nga Azia e Jugut. Në të kundërt, turistët nga Lindja e Mesme janë pakësuar me 18.3%.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi kanë ndryshuar arsyet dhe qëllimet pse të huajt zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Në prill 2024, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka patur një rritje të ndjeshme të shtetasve të huaj të cilët e vizituan Shqipërinë për qëllime personale, ku kjo rritje vlerësohet të jetë 28.8%. Për pushime, vizita tek të afërmit, dhe qëllime të ngjashme, hyrjet janë rritur me 30.6%, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale janë rritur me 57.4%. Pra, analiza e statistikave tregon se rritja më e lartë e shtetasve të huaj rezulton të jetë për qëllime biznesi dhe profesionale. Kjo tendencë dëshmon për një interes të rritur të të huajve për tregun e punës në Shqipëri, krahasimisht me motivet e pushimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi i turizmit, si pozicionohet Shqipëria? Jemi mes vendeve me rritjen më të lartë, por ka fusha ku duhen përmirësime

Postimi mëparshëm

Sa vlen Kombëtarja Shqiptare? “Mesfusha” më e shtrenjtë, por “sulmi” me moshë mesatare më të re

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.