Ekonomi

Turizmit i munguan 2.47 mln vizitorë/ Krahasimi i 2021-shit me 2019-ën, vetëm hyrjet nga Kosova në rritje

0

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar fiksohet në 5.69 milionë, nga 2.66 milionë që ishte gjatë vitit pararendës, në rritje me 114%. Por, viti 2020 është ai i pandemisë dhe i masave kufizuese mjaft të ashpra në thuajse çdo cep të globit, çka i dha edhe një “goditje” mjaft të fortë turizmit. “Scan Intelligence Unit” ka krahasuar shifrat e turizmit gjatë vitit të kaluar, me vitin para pandemisë, 2019-ën, nga ku rezulton se vihet re një rënie e ndjeshme, prej 11.25%. Gjatë 2019-ës, hyrjet e turistëve të huaj në vendin tonë ishin 6.41 milionë. Pra, bëhet fjalë për rreth 718 mijë turistë të huaj të cilët i kanë munguar sektorit të turizmit gjatë vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e pandemisë. Por, edhe më i theksuar bëhet ky hendek po të numërojmë turistët shqiptarë, të cilët kryesisht janë emigrantë të cilët jetojnë dhe punojnë jashte vendit. Gjatë vitit 2021, shtetasit shqiptarë që kanë hyrë në territorin e Republikës kanë qenë 3.92 milionë, ndërkohë që në 2019-ën ishin 5.69 milionë, pra në rënie me 31%, ose me 1.76 milionë individë. Pra, në total turizmit gjatë vitit të kaluar, i munguan rreth 2.47 milionë turistë, krahasuar me vitin para pandemisë, dhe kontributin më të madh në këtë “defiçit” turistësh e kanë dhënë pikërisht emigrantët, duke kontribuar me 71%.

Ndërkohë, po t`i analizojmë shifrat sipas shteteve, po krahasuar me vitin 2019-të, vëmë re një tjetër fenomen, pasi turistët e huaj regjistrohen në rënie në çdo shtet, me përjashtim të Kosovës, ku rritja fiksohet në 17.5%, ose në rreth 394 mijë turistë. Të gjitha vendet e tjera të origjinës janë në rënie, ku vëmë re se Spanja është shteti i origjinës së turistëve që regjistron edhe rënien më të madhe nominale, me rreth 56%, e ndjekur nga Greqia me rreth 53%. Në terma absolut ndërkohë, turistët e huaj nga Greqia, duket të jenë ata që i kanë bërë dëmin më të madh sektorit të turizmit në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, pasi kanë qenë rreth 319 mijë më pak krahasuar me vitin para pandemisë. Sa i përket turistëve të huaj nga Maqedonia e Veriut, ata rezultojnë të jenë 193 mijë më pak.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, hapa pas me korrupsionin/ Humbet 6 pozicione në raportin e “Transparency International”, renditet e 110-ta në botë

Postimi mëparshëm

Pandemia rriti kriminalitetit e të miturve/ Zënë 8% të totalit të autorëve, nga 3.1% në 2019-ën, Tirana e para, me një normë në 14%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.