Turizëm

Turizmi vijon “marshimin”/ Jugu udhëheq rritjen. Gjermanët dhe italianët, më shumë në numër se turistët nga Kosova

0

Muaj pas muaji, statistikat publike konfirmojnë një vit rekord për turizmin. Vizitorët në strukturat akomoduese janë rritur me 38% gjatë muajit Maj ndërsa netë-qëndrimet janë rritur me 46.7%, sinjalizojnë shifrat. Rritja më e madhe vihet re nga të huajt. Vizitorët jo-rezident janë rritur me 52.2% gjatë Majit, ndërsa netë-qëndrimet janë rritur me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket vizitorëve rezident, rritje vjetore fiksohet në 17.4% ndërsa për netë-qendrimet pranë 57%.

Ndërkohë, ajo që bie më së shumti në sy nga shifrat është edhe rritje e vizitorëve të huaj sipas rajoneve. Në veri rritja vjetore e të huajve nëpër strukturat akomuduese gjatë Majit fiksohet pranë 20%, në rajonin e qendrës pranë 33.2% dhe në rajonin e jugut pranë 145%. Edhe në zonat bregdetare rritja vjetore e vizitorëve është ndjeshëm më e lartë se në zonat jo-bregdetare.

Shifrat tregojnë gjithashtu se gjatë Majit, 65% e vizitorëve në strukturat akomoduese janë shtetas jo-rezident, ndërsa 35% janë vendas. Mes të huajve, pjesën kryesore e zënë shtetasit nga Kosova, me 12.7% të totalit, ndjekur nga gjermanët, me 9.1% të totalit dhe italianët me 7.8%. Ndjekin më pas në renditje polakët dhe anglezët. Në kushtet kur publikimi i Instat mbi hyrjet dhe daljet e shtetasve nga Instituti i Statistikave nuk përmbajnë më identifikim gjeografik të turistëve, këto shifra që vijnë në formën e një ankete janë referenca e vetme në lidhje me origjinë e turistëve në Shqipëri këtë vit.

Edhe norma e shfrytëzimi të shtretërve dhe kapaciteteve akomoduese është rritur gjatë Majit, pranë 18.7%, nga 16% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këto shifra mbështesin statistika të ngjashme në lidhje me hyrjet e shtetasve në Shqipëri këtë vit, kur vihet re një rritje rekord e turistëve, përtej edhe niveleve të vitit 2019, viti rekord, para pandemisë. Për më tepër, këtë vit është vënë re një shtrirje e sezonit turistik përtej muajve të verës, paçka se ky i fundit mbetet qershia mbi tortë e një sektori që sipas shumë vlerësimeve përafqëson direkt dhe indirekt rreth 20% të ekonomisë shqiptare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, të `vuajturit` e rajonit/ Barometri i Ballkanit: Qytetarët në Shqipëri më të pakënaqur se fqinjët

Postimi mëparshëm

60% e shqiptarëve s`bëjnë dot pushime/ Kemi `boom` turistësh të huaj, por vetë jemi më të pamundurit në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.