Ekonomi

Sistemi AIPS, 1.5 miliardë euro transferta në 4 muaj/ “Revolucioni” bankar që uli kostot dhe rriti efikasitetin

0

Prej dy vitesh, programi AIPS ka sjellë një revolucion në sistemin bankar, duke mundësuar transferimet kombëtare në Euro midis bankave pa tarifa shtesë nga bankat mëmë. Kjo ka sjellë lehtësim në kryerjen e transaksioneve bankare si për klientët ashtu edhe për bizneset shqiptare. Më parë, këto transferta ishin të ndërlikuara pasi realizoheshin vetëm përmes llogarive që bankat shqiptare mbanin në banka korrespondente jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në prill të vitit 2024 është shënuar një rritje në volumin e transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS. Konkretisht, në prill të këtij viti janë realizuar 26,612 transaksione, krahasuar me 23,255 transaksione të realizuara në muajin paraardhës. Nëse do të analizojmë historikun e të dhënave përgjatë 4-mujorit të parë të vitit aktual rezulton se në muajin prill u realizua edhe numri më i lartë i transaksioneve si në vlerë ashtu edhe në numër.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar ndryshimet në numrin dhe vlerën e transaksioneve përmes sistemit AIPS për të përllogaritur edhe dhe shkallën e përdorimit të tij nga sektori bankar shqiptar. Numri i transaksioneve dhe vlera e pagesave të transferuara përmes këtij sistemi kanë shënuar një rritje muaj pas muaji. Nga muaji janar i këtij viti deri në fund të katërmujorit të parë numri i transaksioneve përmes sistemit AIPS shënoi rritje me 23%. Gjithashtu, edhe vlera e transaksioneve ka ndjekur të njëjtën linjë, konkretisht, kjo vlerë u rrit nga 349 milionë euro në 454 milionë euro. Në total në 4 muaj u transferuan 1.5 miliardë euro pagesa përmes sistemit AIPS.

Sistemi AIPS përveçse ka sjellë lehtësimin e kryerjes së transaksioneve si dhe minimizimin e vonesave ai ka kursyer shqiptarët përsa i përket pagesave në Euro, pasi për një transfertë prej 100 mijë eurosh paguhej diçka më shumë se 200 euro komision përmes sistemit të bankës korrespondente, ndërkohë që aktualisht sistemi AIPS ka vendosur komisione tavan që nuk mund të kalojnë vlerën e 50 euro-ve. Ky komision aplikohet për shuma më të mëdha se 10 mijë euro, ndërsa në rastin e pagesave më të vogla se 10 mijë euro komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Universiteti, sa studentë diplomohen në vit? Sipas Instat, më pak se gjysma e atyre që regjistrohen marrin diplomë në fund të ciklit

Postimi mëparshëm

Indeksi i turizmit, si pozicionohet Shqipëria? Jemi mes vendeve me rritjen më të lartë, por ka fusha ku duhen përmirësime

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.