Tregti

Shesim më shumë se sa blejmë me SHBA/ 13 mld lekë eksporte. Giza & çeliku, bimët medicinale dhe fasonët gjejnë treg të ri

0

Veç retorikës apo politikës së jashtme, marrëdhëniet mes dy vendeve përcaktohen më mirë nëpërmjet shifrave. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej dekadash tashmë janë në një partneritet të ngushtë, sidomos sa i përket politikës së jashtme, por edhe çështjeve të brendshme. Por, a e mbështesin shifrat këtë partneritet? “Scan Intel” ka analizuar imtësisht shifrat e tregtisë së jashtme për të pasur një panoramë të plotë të situatës.

Edhe pse bëhet fjalë për dy vende të pozicionuara në hartën globale mjaft larg njëra-tjetrës, sërish shifrat e tregtisë së jashtme flasin për një volum të konsiderueshëm shkëmbimesh tregtare mes tyre. Në total në vitin 2022 Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkëmbyer rreth 26.6 miliardë lekë mallra, që përkthehen në rreth 250 milionë euro. Shtetet e Bashkuara janë partneri i 8-të më i madh tregtar i Shqipërisë në eksporte, dhe i 14-ti në importe. Ajo që bie më së shumti në sy nga shifrat është fakti se Shqipëria është në sufiçit tregtar me Shtetet e Bashkuara, dhe në këtë territor ka hyrë për herë të parë gjatë vitit të kaluar. Pra, eskportojmë më shumë se sa importojmë nga ekonomia më e madhe e botës. Më saktësisht, në vitin 2022 kemi eksportuar rreth 13.5 miliardë lekë mallra dhe kemi importuar rreth 13.1 miliardë lekë. Çdo vit tjetër përpara 2022-shit tregtia e jashtme me Shtetet e Bashkuara ka qenë në defiçit, dhe mjaft të theksuar. Në vitin 2021 eksportonim rreth 5 miliardë lekë mallra, dhe importonim rreth 14.5 miliardë lekë. Në vitet e kaluara defiçiti ka qenë edhe më i theksuar. Madje, nga analiza dhe përpunimi i shifrave rezulton se për vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pozicionuara mes 10 vendeve me të cilat kemi nivelin më të lartë të sufiçitit tregtar, e renditur në vendin e 9-të.

Por, çfarë kemi filluar të eksportojmë kaq shumë drejt Shteteve të Bashkuara si ekonomi? Në vend të parë, me rreth 7 miliardë lekë, ose 52% të totalit të të gjitha eksporteve drejt vendit gjejmë “gizën dhe çelikun”. Në vitin 2021 Shqipëria eksportone drejt Shteteve të Bashkuara vetëm 1 miliard lekë “Gizë dhe çelik”. Në vend të dytë, me rreth 15% të totalit, ose 2 miliardë lekë gjejmë mjetet e transportit. Edhe këto të fundit në rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2021. Pas tyre ndjekin bimët industriale dhe medicinale, me rreth 14% të totalit. Vijojnë në renditje vajrat, me rreth 5%, ndërkohë që surprizojnë në vend të 5-të, veshjet e këmbëve, me rreth 4% të totalit, dhe në rritje drastike krahasuar me vitet pararendëse. Duket se industria fasone ka gjetur tregje, duke u zgjeruar edhe matanë oqeanit.

Por, shifrat nuk tregojnë vetëm një “fushë me lule”, pasi nëse shohim importin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndër vite, kuptojmë se në një dekadë, pra 2012-2022, rritje është vetëm 14%, duke e renditur ekonominë më të madhe të botës të parafundit, mes 20-të partnerëve tanë kryesorë tregtarë sa i përket rritjes së importeve në një dhjetë vjeçar, më mirë vetëm se Rusia.

Siç e tregojnë qartë shifrat, “dashuria” mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mbetet thjesht në fjalë dhe letra. Pavarësisht distancës mjaft të largët mes dy vendeve, bizneset shqiptare po gjejnë tregje matanë oqeanit, sidomos industria e rëndë, ajo fasone dhe e bimëve medicinale e industriale, duke bërë që Shqipëria më shumë të shesi produkte se sa të blejë me ekonominë më të madhe të globit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Real estate” udhëheq ekonominë/ Bashkë me `artet dhe argëtimin` stimuluan PBB të ngjitet në 2.72% gjatë tremujorit të parë të këtij viti

Postimi mëparshëm

Mbi 200 mijë shqiptarë kërkojnë “ëndrrën amerikane” çdo vit. Aplikimet për Llotarinë Amerikane sipas periudhave

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.