Popullsia

Lindjet në Shqipëri “prekin fundin”/ Ranë me 10% gjatë vitit 2023, shifra më e ulët në 33 vite

0

Të dhënat mbi treguesit demografikë nga “Instituti i Statistikave” për vitin 2023, flasin për 22,210 lindje dhe 20,034 fatalitete. Krahasuar me vitin 2022 shifrat tregojnë se viti që lamë pas shënoi 10% më pak lindje dhe 16.5% më pak fatalitete. Pra, e thënë ndryshe viti 2023 regjistron rekordin më të ulët historik të 33 viteve të fundit sa i përket numrit të lindjeve, duke kaluar kështu edhe shifrat e vitit 2022.

Pra, nisur nga kjo tendencë rënëse e numrit të lindjeve duket qartë se popullsia jo vetëm po tkurret ndjeshëm, por gjithashtu edhe po plaket me shpejtësi (shiko këtu). Kjo mbështet edhe nga shifrat e emigrimit apo aplikimeve për azil në vendet e Europës, të cilat dëshmojnë se një pjesë e mirë e grupmoshës së re është larguar nga Shqipëria. Këto lëvizje janë kryesisht të dominura nga faktorët ekonomikë.

Bazuar në historikun e numrit të lindjeve që i përkasin 10-vjeçarit të fundit, shifrat tregojnë se rënia ka qenë e konsiderueshme nga afro 35,500 lindje duke arritur në vetëm 22,200 lindje në vitin që lamë pas.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e katërt të vitit 2023 regjistron 1,038 lindje më shumë se sa vdekje, ndërkohë për vitin 2023 ky tregues regjistrohet në 2,176 lindje më shumë se vdekje. Edhe pse shifrat paraqiten pozitive kjo diferencë është më e ulëta që nga viti 1990. Megjithatë, brenda një periudhe dy vjeçare shtesa natyrore e popullsisë është përmirësuar për shkak të rënies së numrit të vdekjeve. Rikujtojmë se kjo shtesë paraqitej negative gjatë vitit 2021 e ndikuar edhe nga pandemia.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat biznese morën më shumë kredi? Tregtia kryeson edhe për 2023-shin, ndërtimi i dyti me 39.5 mld lekë

Postimi mëparshëm

‘Zbutet’ inflacioni në Janar/ Arrin në 3.4%, ushqimet dhe pijet joalkolike vijojnë me rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.