Financë

Kriza nuk ndal emigrantët të dërgojnë pará/ Remitancat, niveli më i lartë prej 2008-ës këtë vit. Rreth 1 mijë euro dërgesa vjetore për familje

0

Kriza ekonomike që ka përfshirë thuajse çdo cep të globit, me konsumatorin dhe familjet që po e vuajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rritjen e çmimeve, duket se nuk ka ndalur aspak emigrantët shqiptarë që të dërgojnë para për të afërmit e tyre në Atdhe, përkundrazi. Shifrat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve në Shqipëri fiksohen pranë 184 milionë eurove. Krahasuar me tremujorët e parë të viteve paraardhës, tremujori i parë i këtij viti regjistron shifrën më të lartë që prej vitit 2008. Asokohe dërgesat e emigrantëve fiksoheshin pranë 212 milionë eurove. Kujtojmë se kriza financiare globale e viteve 2008-2009 i dha një “goditje” të fortë dërgesave të emigrantëve në Shqipëri. Gjithsesi, me pandeminë, u vu re një rritje e ndjeshme, kryesisht si rrjedhojë e nevojës së rritur të familjeve shqiptare për shërbime shëndetësore.

Gjatë të gjithë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve në vendin tonë kapën shifrën e 761 milionë eurove, duke prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2009, kur fiksoheshin pranë 782 milionë eurove. Rritja vjetore e remitancave në vitin 2021 fiksohej pranë 13%, ose pranë rreth 90 milionë eurove, krahasuar me vitin pararendës, gjithashtu rritja më e madhe që prej 2009-ës në terma nominalë (shiko këtu).

Tendenca e regjistruar gjatë vitit të kaluar, duket se po vijon edhe këtë vit, pavarësisht faktit se edhe të ardhurat e emigrantëve jashtë vendit janë prekur nga kriza e çmimeve. Shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit vijojnë të konfirmohen kështu një burim mjaft i rëndësishëm i të ardhurave të familjeve shqiptare, sidomos në kohë të vështira krize, si periudha aktuale.

“Scan Intel” i ka analizuar dërgesat e emigrantëve edhe në raport me popullsinë, për të kuptuar ndikimin në të ardhurat e familjeve. Bazuar në të dhënat më të fundit në dispozicion, ato të vitit 2021 në total, 761 milionë euro dërgesa përkthehen në rreth 989 euro për familje mesatarisht në vit. Referuar një vrojtimi të publikuar pak kohë më parë nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat vjetore mesatare të një familje shqiptare fiksohen në 961,379 lekë në në vit, ose 8,023 euro në vit. Bazuar në këtë kryqëzim të dhënash, rezulton se, dërgesat nga emigrantët përbëjnë mesatarisht rreth 11.2% të totalit të të ardhurave vjetore të familjeve shqiptare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ujërat e zeza, Shqipëria në fund të Europës/ Eurostat: Vetëm 1 në 3 familje, akses në përpunimin e ujërave, ndër 4 vendet më të dobëta në kontinent

Postimi mëparshëm

Ekonomia, “me sytë” nga turizmi/ Turistët shpenzuan 408 mln euro në tre muajt e parë, rekord absolut, 65% mbi mesataren historike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.