Ekonomi

Konsumatorët “i largohen” blerjeve të mëdha/ Treguesi i besimit në ekonomi në rënie, optimist vetëm ndërtimi

0

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorit, sinjalizon se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike vijon rënien edhe në muajin nëntor të këtij viti. Krahasimisht me një muaj më parë rënia konstatohet me 1.6 pikë duke shënuar nivelin 109.3, ndërkohë që në tetor 2023 ky tregues ishte në nivelin 110.9 duke mbajtur të njëjtën vlerë edhe me muajin shtator.

Intitucioni i Bankës së Shqipërisë shpjegon se rënia e këtij treguesi këtë muaj është nxitur nga vlera më e ulët e treguesit të besimit në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë si dhe rënia e besimit në sektorët e industrisë, faktorë këta që kontribuan negativisht në matjen e vlerës së këtij treguesi.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar se si kanë ndryshuar vlerat e treguesve të besueshmërisë sipas sektorëve bazë të ekonomisë. Shifrat tregojnë se rënia e treguesit të besimit të industrisë ishte më e ngadaltë në muajin nëntor krahasuar me muajin e mëparshëm duke e pozicionuar këtë tregues sërish mbi mesataren historike. Qasja e bizneseve mbetet optimiste përsa i përket prodhimit aktual industrial të cilin e konsiderojnë të përmirësuar.

Ndërkohë, treguesi i besimit në ndërtim, është i vetmi tregues që paraqet rritje. Rritja konstatohet me 4.4 pikë përqindje duke qëndruar rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlerësimet janë optimiste për aktivitetin aktual ndërtues dhe nivelin e porosive. Gjithashtu, pritjet për punësimin dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje.

Tregues të tjerë të rëndësishëm si, treguesi i besimit në shërbime, ai i besimit në tregti dhe treguesi i besimit konsumator kanë regjistruar rënie në muajin nëntor të vitit aktual.

E përkthyer në shifra ekzakte, treguesi i besimit në shërbime ra me 4.4 pikë përqindje, por pa e cënuar këtë tregues të qëndrojë 12.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien e këtij treguesi kontribuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve si për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ashtu edhe për nivelin aktual të kërkesës.

Treguesi i besimit në tregti, regjistroi rënie po ashtu me 1.7 pikë përqindje, duke vijuar të qëndrojë 8 pikë mbi mesataren historike. Indikatorë të rënies së këtij treguesi cilësohen të jenë vlerësimet më pak pozitive për ecurinë aktuale të biznesit.

Nga ana tjetër, rënia e treguesit të besimit konsumator ishte më e lehtë, me 0.7 pikë përqindje në muajin nëntor. Konsumatorët vlerësuan me rënie blerjet në shuma të mëdha, por ishin më optimistë lidhur me situatën financiare dhe ekonomike të vendit në të ardhmen.

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE)

Treguesit e besimit sipas sektorëve

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, pronarë. Europianët, me qira/ Renditemi të dytët në Europë me përqindjen më të lartë të pronësisë së shtëpive

Postimi mëparshëm

Dhuna në familje, 68.9% e rasteve nga bashkëshorti/ Durrësi regjistron numrin më të lartë, kuksianët ‘larg’ dhunës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.