Ekonomi

“Fatura” e luftës në turizmin shqiptar/ Në 2021-shin, 149 mijë turistë nga Rusia, Ukraina, Bjellorusia, 2.6% e totalit, mbi 40 mln euro shpenzime

0

Konflikti Rusi-Ukrainë me Moskën zyrtare që ka nisur prej mëse një jave një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj vendit fqinj do të ketë patjetër impakt në ekonominë globale, dhe atë shqiptare për rrjedhojë në terma afat-mesëm dhe afat-gjatë. “Fatura” e një konflikti që sapo ka filluar është e pamundur të përllogaritet, sidomos duke pasur parasysh pasojat indirekte, siç pritet të jetë edhe rritja e çmimeve të konsumit. Sa i përket pasojave të drejtpërdrejta ndërkohë, turizmi është ndër ata sektorë që mund të vlerësohen paraprakisht humbjet. “Scan Intelligence Unit” ka kërkuar një informacion shtesë nga Instituti i Statistikave në lidhje me hyrjet e shtetasve nga vendet e përfshira në konflikt: Rusia, Ukraina por edhe Bjellorusia. Në Shqipëri gjatë vitit 2021 kanë hyrë plot 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia dhe rreth 2500 shtetas bjellorusë.

Sa i përket shtetasve nga Ukraina, viti 2021 ka regjistruar një rritje mjaft të ndjeshme të turistëve në vendin tonë, nga rreth 20 mijë në vitin 2020, apo 41 mijë në vitin 2019, në 110,205 në 2021-shin. Edhe turistët rus kanë regjistruar një rritje, pavarësisht se të lehtë krahasuar me vitin para pandemisë, nga 34,146 në 2019-ën, në 36,475 në 2021-shin. Bjellorusët ndërkohë regjistrojnë një tendencë krejt të kundërt, në rënie të ndjeshme krahasuar edhe me vitin e pandemisë.

Në total, në të gjithë vendin, gjatë vitit të kaluar kanë hyrë 5.68 milionë turistë të huaj, dhe 149,225 turistët nga këto tre shtete përfaqsëojnë 2.6% të totalit. Konflikti aktual, jo domosdoshmërisht do t`i zerojë turistët nga këto vende, por pritet të ketë një impakt domethënës, siç kanë lajmëruar edhe turoperatorët. Këta të fundit deklarojnë se këtë vit pritej një rritje e ndjeshme e kërkesave nga këto vende, dhe se sapo kishin nisur prenotimet. Në total, gjatë 9 muajve të parë të vitit të kaluar, turistët nga jashtë kanë shpenzuar rreth 1.47 miliardë euro në vendin tonë. Sipas një projeksioni të thjeshtë, bazuar në shifrat e tremujorit të fundit të vitit 2020, shpenzimi total i turistëve të huaj në vendin tonë gjatë vitit të kaluar mund të përllogaritet afërsisht në 1.7 mld euro. Me një përfaqësim prej rreth 2.6% të totalit, turistët nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia, përafërsisht, ku çdo turist vlerësohet të ketë shpenzuar një shifër mesatare, kanë shpenzuar rreth 44 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Pra, në rast se konflikti do të shkaktojë ridimensionim edhe të flukseve të turistëve të huaj në vendin tonë, “fatura” e luftës, vetëm në këtë drejtim, mund të jetë mbi 40 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekskluzive/Raporti i Moody`s për Shqipërinë: “Aftësia paguese e borxhit, në të njëjtat nivele si para pandemisë”

Postimi mëparshëm

Rriten kostot e ndërtimit/ Në T4, 3.1% më të larta, ndikimi kryesor vjen nga rritja e kostove të transportit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.