ÇmimetEkonomi

Eurostat “rrit” inflacionin/ Çmimet janë shtrenjtuar me 8% në Nëntor, sipas metodës europiane

0

Instituti i Statistikave ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor, që fiksohet në 8%, ku vihet re se qëndron në të njëjtën vlerë me muajin e kaluar. Ky indeks vlerësohet nga Instat për të matur inflacionin në vend sipas metodës së Eurostat, ndërsa kjo vlerë kalon për herë të parë vlerën e inflacionit të raportuar sipas metodës vendase, që përgjatë muajit nëntor kishte pësuar rënie në vlerën e 7.9%.

Ashtu siç është sjellë në vëmendje edhe më parë, në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit, si dhe në varësi të numrit të produkteve dhe shërbimeve që merren në konsideratë, pavarësisht se ky ndryshim i fundit është thuajse i papërfillshëm. Këto ndryshime në pesha janë të theksuara sidomos sa i përket transportit dhe grupit të “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”.

Njësoj me muajin e kaluar, rritja më e madhe e çmimeve, prej 13,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 9,4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,1% secili, “Shërbimi arsimor” me 2,5%, “Shëndeti” me 2,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3% dhe “Komunikimi” me 1,0%.

Për më tepër, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Transporti”, me 2,4%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,7% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u rritën me 2,0%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6%, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,5% secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2% secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,1% secili.

Të dhënat tregojnë se, Shqipëria ka lëvizur me dy pozicione në renditje sa i përket rritjes së çmimeve, përkatësisht në vendin e tetë nga fundi, duke lënë pas vende si Luksemburgu dhe Norvegjia. Shifrat e publikuara tregojnë një mesatare të rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian përgjatë muajit tetor, me 11.1%. Krahasuar me muajin tetor, mesatarja e rritjes vjetore të çmimeve në union është ulur me 0.4 pikë përqindje. Vende si Hungaria, Letoni, Estoni dhe Lituania kryesojnë listën e shteteve me rritjen më të lartë të çmimeve. Nga ana tjetër, Shqipëria rezulton të ketë një rritje më të lartë çmimesh krahasuar me vende si Luksemburgu, Norvegjia, Spanja, Franca, Islanda, Malta dhe Zvicra.

Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Nëntor 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi vazhdon me rekorde edhe në vjeshtë/ Gjatë tetorit, thuajse dyfish më shumë vizitorë se vitin e kaluar, netë qëndrimet rriten me 32.5%

Postimi mëparshëm

Rreth 12 milionë vizitorë në 11 muaj/ Sezoni turistik vazhdon edhe në nëntor, rriten hyrjet nga shtetas të huaj me 46.8%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.