Tregti

Eksportuesit, të fituarit e krizës/ Çmimet e eksporteve këtë vit janë rritur dy herë më shumë se të importeve

0

Shifrat e gushtit vijonë të konfirmojnë “fryrjen” e tregtisë së jashtme si pasojë e rritjes së çmimeve. Kështu, eksportet gjatë gushtit prekën vlerën e 35 miliardë lekëve, në rritje me 48.1% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërkohë që importet arritën në 80 miliardë lekë, 30.8% më të larta se një vit më parë. Në terma mujorë ndërkohë, pra krahasuar me korrikun, edhe importet edhe eksportet regjistrohen në rënie. Përgjatë të gjithë 8-mujorit, eksportet rezultojnë 41% më të larta se 8 muajt e parë të vitit të kaluar, në vlerë, ndërsa importet 24.8% më të larta.

Por, nëse tregtinë e jashtme do ta analizonim në peshë, për ta zhveshur nga efekti i çmimeve, shohim se, eksportet kanë rënë me 15% në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e një viti më parë, ndërsa importet kanë rënë me 3.6%. Kjo tendencë është vënë re për muaj me radhë gjatë këtij viti, ku në vlerë tregtia e jashtme raporton rritje dyshifrore, ndërsa në peshë rezulton me rënie.

Sa i përket kontributit të grupeve kryesore, shohim se në drejtim të eksporteve dhe importeve, kryesojnë zërat që kanë pasur edhe rritjen më të lartë të çmimeve, si “Minerale, lënde djegëse dhe energji elektrike”, apo “Materiale Ndërtimi dhe Metale”. Shifrat tregojnë gjithashtu një zgjerim të ndjeshëm të industrisë fasone, duke qenë se “tekstile dhe këpucë” regjistrojnë rritje të ndjeshme si në eksport ashtu edhe në import, në vlerë.

Sa i përket vendeve partnere ndërkohë, eksportet gjatë gushtit kanë pësuar rritjen më të madhe vjetore me: Italinë, Gjermaninë dhe Spanjën. Eksportet në drejtim të Spanjës janë rritur me plot 411%, tregon Instat. Nga ana tjetër, vihet re se Kosova është në listën e 3 vendeve partnere me rënien më të madhe vjetore të eksporteve prej rreth 9%. Dy vendet e tjera janë: Maqedonia e Veriut dhe Kina. Në drejtim të importeve vëmë re se rritjen më të madhe e regjistron: Turqia, Kina dhe Greqia, ndërsa rënien më të madhe: Italia, Gjermania dhe Austria.

Ndërkohë që rritja e çmimeve ka pasur padiskutim efekt të dukshëm në shifrat e tregtisë së jashtme, duke e nxitur të raportojë prej muajsh me radhë një rritje dyshifrore, si në eksport, ashtu edhe në import, muajt e krizës kanë treguar se në një farë mënyrë Shqipëria po përfiton, ose më saktë eksportuesit shqiptar, pasi çmimet në raport me peshën kanë pësuar një rritje ndjeshëm më të lartë në eksport se sa në import. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Instat shohim se norma e mbulimit, pra pesha që zënë eksportet ndaj importeve në 8 muajt e parë të këtij viti ka prekur një rekord të ri historik, duke u ngjitur pranë 54%. Asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe kohore nuk ishte regjistruar një normë e tillë. Norma prej 54% do të thotë se eksportet gjatë këtij viti, në vlerë, përfaqësojnë diçka më shumë se gjysmën e vlerës së importeve. Gjatë 8-mujorit të parë të vitit të kaluar kjo normë fiksohej pranë 47.8%. Në 8-mujorin e 2020-tës fiksohej pranë 45% dhe në 2019-tën pranë 46.6%. Në rast se do t`i referohemi viteve të kaluara si të plota ndërkohë, norma e mbulimit të eksporteve ndaj importeve nga viti 2013 deri në vitin 2019-të varion mes 30-40%, ndërkohë që nga vitit 2000 deri në vitin 2012 raportohet mes 22% dhe 40%, me një kthesë domethënëse të regjistruar në vitin 2010-të.

Brenda të njëjtës analizë sa i përket ndikim të krizës te eksportet dhe te importet shohim se gjatë gushtit, eksportet shqiptare kanë kushtuar mesatarisht 117 lekë për kilogram, ndërkohë që në gushtin e vitit të kaluar kushtonin vetëm 67 lekë për kilogram. Pra, kemi të bëjmë me një rritje pranë 74.6%. Ndërkohë, importet në gusht kushtonin mesatarisht 172.18 lekë për kilogram, ndërsa një vit më parë, 126.9 lekë për kilogram, për nëj rritje prej 35.6%. Në rast se analizën do ta bënim për të 8-të muajt e parë të vitit, shohim një situatë edhe më të thelluar. Çmimet e produkteve të eksportuara këtë vit kanë qenë rreth 132.5 lekë për kilogram, nga vetëm 73.7 lekë për kg që ishin gjatë 8 muajve të parë të vitit të kaluar, duke u rritur kështu me 79.8%. Sa i përket importeve ndërkohë, cmimi për kilogram këtë vit është rritur nga 136.7 lekë për kg në 185 lekë për kg, prej vetëm 35.4%.

Shifrat tregojnë qartë se çmimi i eksporteve shqiptare është rritur me një hap dy herë më të lartë se ai i importeve, çka duket të jetë një ndër aspektet e pakta pozitive të krizës së çmimeve.

Pra, shifrat e gushtit, por edhe ato të 8-mujorit të parë të këtij viti, sinjalizojnë se në këto kohë krize, me rritje të ndjeshme të çmimeve, më shumë po përfitojnë produktet “Made in Albania”, pra eksportet, se sa importet. Por, duhet të kemi parasysh edhe faktin se kjo tendencë nuk është homogjene, pra jo në të gjithë sektorët, siç është vënë re me bujqësinë, ku çmimet e eksportit për kg kanë regjistruar këtë vit një rritje mjaft modeste, sidomos krahasuar me rritjen e produkteve të importit. Ndërkohë, sektorë të tjerë, si ai fason regjistrojnë terma të larta rritje të eksporteve, sidomos në vlerë, por bëhet fjalë për një industri që nuk sjell një vlerë të shtuar me peshë për ekonominë shqiptare, pavarësisht shifrave të tregtisë së jashtme.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Korriku, rekord vizitorësh/ Rriten me 21.8% akomodimet krahasuar me 2019-ën, më shumë edhe netë qëndrimet

Postimi mëparshëm

Liria ekonomike, Shqipëria e 26-ta në botë/ Ngjitemi në renditje, por përkeqësohemi në pikëzim. Qëndrueshmëria e monedhës na rendit të katërt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.