Tregti

Eksportet vijojnë rënien edhe në shtator/ Bien me 12.8%, hidrokarburet patën ndikimin më të madh

0

Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin shtator të këtij viti tregojnë se eksportet arritën vlerën 34 mld lekë, duke rënë me 12.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë importet e mallrave pësuan rënie me 16.6% duke u fiksuar në vlerën 73 mld lekë. Nga të dhënat e muajve të mëparshëm eksportet e ndikuara edhe nga rënia e çmimeve apo zhvlerësimi i euros kanë regjistruar rënie për të tetin muaj me radhë.

Nga ana tjetër, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë, eksportet dhe importet janë luhatur në drejtime të kundërta. Eksportet në peshë janë rritur me 13.3%, krahasuar me muajin shtator të vitit 2022, ndërsa importet janë ulur në peshë me 13.05%. Specifikisht në terma vjetorë rritja e eksporteve në peshë është reflektuar në grupet “Minerale, lëndë djegëse”, “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” përkatësisht me 17.5%, 52% dhe 32.5%.

“Scan Intel” ka analizuar edhe kontributin e grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve. Sipas analizës konstatojmë se ndikimin më të lartë në rëniën e eksporteve e ka patur grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -2,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,7 pikë përqindje. Ndërkohë, grupet që kanë dhënë kontribut pozitiv janë: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,02 pikë përqindje.

Në një analizë paralele, rezulton se në rënien e importeve kanë ndikuar grupet e mëposhtme: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,4 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -1,3 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,5 pikë përqindje, etj.

Nëse analizojmë ndryshimin vjetor të eksporteve në vlerë shohim se rënien më të lartë e kanë regjistruar grupet “Minerale, lëndë djegëse” dhe “Prodhime druri dhe letre’’ përkatësisht me -27.5% dhe -27.2%, ndërsa rritje kanë shënuar grupet “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure”, dhe “Produkte kimike dhe plastike”, ku në terma absolutë kjo rritje ishte 3.3% dhe 4.4%.

Përsa i përket analizës së tregtisë së jashtme me vendet partnere situata paraqitet pesimiste pasi krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar Shqipëria ka pësuar ulje të eksporteve me Italinë 1.5%, Gjermaninë me 48.4% dhe Spanjën 56.9%. Në drejtim të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht shtetet si Kosova, Greqia, dhe Kina eksportet e të cilave kanë shënuar rritje respektive me 29.4%, 13.9%, dhe 135.6%. Dy shtetet e fundit, pra Greqia dhe Kina së bashku me Italinë përbëjnë partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë.
Peshorja e tregtisë së jashtme ështe ende e çekuilibruar pasi Shqipëria ka pasur ulje të mëdha të importeve, me : Italinë , Turqinë, dhe Greqinë, përkatësisht me 5.7%, 58.7%, dhe 40.1%. Ndërkohë, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me shtatorin e vitit 2022 janë: Kina me 1.8%, SHBA me 100.7% dhe Zvicra me 129.7%.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është dhe shkëmbimi tregtar me vendet e BE-së, i cili zë 58.4% të gjithë tregtisë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për muajin Shtator 2023 rezulton se eksportet me BE-në zënë 72.4% të eksporteve totale ndërsa importet 51.1% të importeve totale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Konsumi i duhanit, si renditet Shqipëria? Jemi vendi me normën më të ulët në rajon, 22.4% janë duhanpirës

Postimi mëparshëm

Çmimet në Shqipëri barazohen me BE-në/ Inflacioni sipas Eurostat në 4.9% në shtator, ushqimet udhëheqin rritjen

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.