Tregti

Eksportet thellojnë rënien në Korrik/ Lëndët djegëse “bëhen bashkë” me tekstilet, patën ndikimin më të madh

0

Rënia e eksporteve është thelluar në muajin korrik të këtij viti, tregojnë të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT. Eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, nga 35 mld që ishin në qershor, duke rënë me 12%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4.1%, në krahasim me qershorin e po të njejtit vit. Nga ana tjetër, importet kanë vijuar të rriten, ku konkretisht shifrat flasin për 21.1% më shumë importe në vlerë, krahasuar me një vit më parë. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e defiçitit tregtar me 59%, nëse do ta krahasonim me korrikun e vitit 2023.

Po t’i analizojmë të dhënat në volum, pra në peshë, vihet re se përgjatë një viti eksportet kanë rënë me 1.8%, ndërsa importet në volum janë rritur me 16%.

Por çfarë tregojnë shifrat sa i përket periudhës shtatëmujore? Përgjatë kësaj periudhe, eksportet e mallrave arritën vlerën 233 mld lekë, duke u ulur me 14.5%, ndërkohë importet arritën vlerën 526 mld lekë, duke u rritur me 3.2%, krahasuar me një vit më parë.

Nëse analizojmë shifrat për të gjetur ndikimin kryesor në drejtim të rënies së ekporteve në vlerë, shohim se edhe në terma mujorë, por edhe në terma shtatëmujorë, lëndët djegëse dhe tekstilet kanë patur ndikimin negativ më të madh. Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” ndikoi negativisht me 11.3 pikë përqindje, ndërsa grupi “Tekstile dhe këpucë” me 4.0 pikë përqindje. Më ndikim negativ po ashtu paraqitet grupi “Ushqime, pije, duhan” me 0.7 pikë përqindje. Pozitivisht kanë ndikuar grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 1.4 pikë përqindje, etj.

“Scan Intel” ka analizuar ndryshimin vjetor të grupeve për të parë se ku vihen re diferencat më të mëdha. Të dhënat tregojnë se rënia më e madhe vjetore vihet re në grupin e lëndëve djegëse me 44%, pasuar nga grupi “Tekstile dhe këpucë” me 13.2%, duke dëshmuar edhe njëherë ngërçin në këtë sektor nga rritja e kostove si pasojë e rënies së euros. Gati të gjitha grupet vihen re më rënie përveç grupeve të prodhimit të letrës, materialeve të ndërtimit dhe produkteve kimike.

Po të flasim në drejtim të importeve, gjatë muajit korrik të vitit 2024, kanë ndikuar pozitivisht të gjitha grupet, përveç grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 0.3 pikë përqindje. Kontributin më të lartë pozitiv e pati grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit. Në një analizë të kryer më herët nga “Scan Intel”, rikujtojmë se ky grup arriti nivel rekord të importit në maj të këtij viti.

Por si kanë ndryshuar importi i grupeve kryesore në harkun kohor të viti? Rënie ka shënuar vetëm grupi i lëkurës dhe atrikujt prej saj, ndërkohë grupet e tjera paraqiten me rritje. Sipas të dhënave, rritjen më të madhe e kanë shënuar materialet e ndërtimit me 46%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si ndryshuan bizneset e hotelerisë ndër vite? Numri i vizitorëve të huaj rriti paralelisht edhe ndërmarrjet

Postimi mëparshëm

Më shumë vizitorë shfrytëzuan hotelet për pushime/ Rritet numri i netë qëndrimeve me rreth 37% krahasuar me vitin 2023

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.