Financë

Depozitat prekin rekord 9 vjeçar, – Gjatë gushtit rriten me hapin më të shpejtë që prej 2012-ës, arrijnë në 1.17 trln lekë

0

Niveli i depozitave në sektorin bankar ka prekur shifrën e 1.17 trilionë lekëve, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Përveç faktit që kjo shifër regjistron një rekord të ri historik, vihet re se rritja e gushtit është më e madhja që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Gjatë gushtit, stoku i depozitave në paranë e gjerë, në terma mujorë është rritur me 1.8%, ndërkohë që në dhjetor të vitit të kaluar, rritja fiksohej në 2.6%. Nga ana tjetër, kjo është rritja e dytë më e madhe që prej dhjetorit të vitit 2014, si dhe më e madhja në terma sezonalë, që prej gushtit të vitit 2012.

Por, një tjetër e dhënë bie në sy nga shifrat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë; fakti që rritja vihet re vetëm për në valutë, ndërkohë që për ato në lek, vihet re një tkurrje e totalit të depozitave. Kështu, shifrat tregojnë se, totali i depozitave në lek në sektorin bankar gjatë gushtit zbriti në 526.9 mld lekë, nga rreth 531 mld lekë që ishte në muajin korrik, ku edhe prekej rekordi historik. Rënia në terma mujorë fiksohet kështu në 0.9%, që është edhe rënia më e madhe që prej muajit gusht të vitit 2018. Por, po të shohim treguesin e depozitavë te reja në lek, kur për gushtin fiksohet në 200 mld lekë, ose rreth 1.6 mld euro.

Krejt e kundërta ka ndodhur me depozitat në valutë, ku shifrat flasin për një shifër rekord prej 648 mld lekësh, nga rreth 622 mld që ishte në muajin korrik. Rritja në gusht e totalit të depozitave, krahasuar me korrikun e këtij viti fiksohet në 4.1% për depozitat në valutë, çka përkthehet në rritjen më të madhe që prej gushtit të vitit 2016. Asokohe, rritja mujore e totalit të depozitave në valutë në sektorin bankar fiksohej në 4.4%. Sa i përket depozitave të reja në euro, për gushtin, shifra fiksohet në 1.15 mld euro në një muaj, që ndër të tjera është edhe shifra më e lartë e regjistruar, të paktën që prej vitit 2015.

Në total, stoku i depozitave në paranë e gjerë është rritur me rreth 20 mld lekë gjatë gushtit, krahasuar me korrikun, ose rreth 168 milionë euro, ndërkohë që sasia e depozitave të reja, si në lekë ashtu edhe në euro, ka qenë rreth 2.79 mld euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shëndeti “zëvendëson” argëtimin, – Pandemia ridimensionon shpenzimet e familjeve shqiptare. Elbasani, Dibra dhe Gjirokastra, qarqet me rritjen më të madhe të shpenzimeve

Postimi mëparshëm

Ekonomia do “shpërthejë”, por pa “bereqet” për qytetarët- BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit në 7.2%, por do ketë rritje çmimesh, dhe qeveria i ka “duart e lidhura” për të ndërhyrë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.