Ekonomi

Blegtoria, rreth 12% më pak krerë të imta/ Bie edhe numri i gjedhëve e derrave. Bletët dhe shpendët, të vetmet me rritje

0

Numri i bagëtive ka rënë ndjeshëm në vendin tonë sipas të dhënave më të fundit të “Institutit të Statistikave”. “Scan Intel” ka analizuar shifrat publike për të kuptuar nëpërmjet tyre realitetin e blegtorisë shqiptare dhe rënien drastike nga viti në vit. Madje, për të kuptuar më në detaje situatën, do të bëjmë një krahasim edhe me mesataren e Europës, nëpërmjet të dhënave të Eurostat të publikuara pak kohë më parë.

Sipas INSTAT, numri i krerëve ka rënë ndjeshëm në vitin 2023, gati në të gjitha llojet e tyre, përveç bletëve, shpendëve dhe njëthundrakëve, që kanë shënuar rritje. Rënia me e madhe vihet re në numrin e derrave, ku në harkun kohor të një viti numri i tyre është ulur me rreth 16%. Në Shqipëri kjo është një rënie shumë herë më e lartë, krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian. Megjithatë, pavarësisht kësaj, të dhënat e EUROSTAT flasin gjithashtu për rënie të numrit të bagëtive në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, por edhe në harkun kohor të dhjetë viteve. Numri i derrave në Europë ka rënë me 1.1%, sipas të dhënave zyrtare.

Nga ana tjetër, situata në vend nuk paraqitet shumë pozitive edhe sa i përket numrit të gjedhëve, i cili ka rënë me 11.7%, ndërkohë në Europë me 1.3%. Rënia më e madhe në vendet e Bashkimit Europian vihet re në numrin e dhive me 5.4%, por sërish është më e ulët se në vendin tonë me 11.4%. Po të analizojmë të dhënat për numrin e deleve, rënia sërish është e konsideruashme në vendin tonë, me plot 12%.

Kjo rënie patjetër që ka ndikuar edhe rritjen e importit të produkteve të mishit, ku kujtojmë se në muajin prill importi për këtë produkt arrit rekord. Në një moment kur turizmi po performon mjaft mirë, gjasat që të nxisë kërkesën për produkte të mishit janë shumë të larta dhe rrjedhimisht edhe importet mund të rriten akoma.

Shifrat e INSTAT trgojnë se numri i gjedhëve në vitin 2023, është 263,385 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 88.24% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Në vitin 2023, numri i të leshtave është 1,206,206 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 83.43% ndaj numrit gjithsej të tufës.

Qarqet më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit për vitin 2023, janë Fieri me 14.76% dhe Korça me 11.76% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve, ndërsa përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 28.52% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 14.84% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kosova, partneri kryesor për eksportet/ Në rritje edhe me Maqedoninë e Veriut. Serbia kryeson importet

Postimi mëparshëm

Rekordet e turizmit nuk surprizojnë më/ Në pesë muaj u regjistruan rreth 3.3 milionë vizitorë të huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.