Turizëm

Turizmi në Shqipëri arrin kulmin në Korrik/ Vizitorët e huaj udhëheqin rritjen me 53.1%. U vendosën kryesisht në zonat bregdetare

0

Shifrat më të fundit mbi strukturat akomoduese për muajin Korrik të këtij viti tregojnë se u regjistruan gjithsej 526,293 vizitorë duke shënuar një rritje me 35.9%, krahasuar me vitin paraardhës. Nëse i analizojmë sipas tipologjisë rezulton se numri i vizitorëve vendas është rritur me 8.9%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj është rritur me 53.1%.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe numrin e netë qëndrimeve. Shifrat thonë se numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 16.1%, në krahasim me korrikun e vitit 2023. Nëse i analizojmë sipas tipologjisë së turistëve rezulton se numri i netë qëndrimeve nga vendasit është rritur me 6.2%, ndërsa numri i netë qëndrimeve nga të huajt është rritur me 21.3%.

Nëse analizën e shtrijmë më tej për periudhën Janar-Korrik të vitit 2024, të dhënat tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar afro 1.6 milionë vizitorë gjithsej, nga të cilët 31.5% e tyre ishin vendas dhe pjesa tjetër ishin të huaj. Muaji korrik rezulton të jetë edhe muaji me numrin më të lartë të vizitorëve përkatësisht me 362,278  të huaj dhe 164,015 vendas.

Po ku u përqëndruan më shumë turistët? Gati 261 mijë turistë të huaj u vendosën në zonat bregdetare, ndërsa pjesa tjetër u shpërnda mes rajonit të qendrës dhe të veriut.

Nëse analizojmë shifrat e këtij viti më atë të korrikut të vitit të kaluar rezulton se numri i vizitorëve të huaj të cilët janë akomoduar në rajonin qendër ka shënuar rritje me 74.1%. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 57%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 57. 1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Përsa i përket origjinës së turistëve që na vizituan gjatë muajit korrik, shifrat tregojnë se peshën më të madhe e zënë vizitorët nga Kosova me 10.8% dhe vizitorët nga Polonia me 10.4%. Pjesa tjetër shpërndahet mes vizitorëve nga Gjermani dhe Italia, të cilët zënë po ashtu një peshë të konsiderueshme. Këto të fundit përbëjnë përkatësisht  7.1% dhe 5.2% të totalit të turistëve

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, akoma “të frikësuar” nga vjedhja e të dhënave/ Rreth 61% e tyre ndihen të kërcënuar nga krimi kibernetik, ndjeshëm mbi mesataren rajonale

Postimi mëparshëm

Cilat ndërmarrje shesin më shumë produkte online? Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë peshën më të madhe të tregtisë elektronike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.