EkonomiStudime

68% e shqiptarëve paguhen nën pagën mesatare, – Analiza e pagave: 0.06% e më të mirëpaguarve zë 3.66% të pagave

0

Publikimi i të dhënave personale të cilat kanë një ndjeshmëri të lartë, si pagat, patjetër që përbën një kërcënim serioz për cilindo prej nesh. Por, nga ana tjetër, këto të dhëna nxjerrin në pah një sërë fenomenesh të tjera në tregun e punës, publik apo privat. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shpërndarjen e pagave. Duke qenë se burimi i kësaj baze të dhënash nuk është i njohur, rrjedhimisht edhe vërtetësia e të dhënave vihet në pikëpyetje. Por, nga kryqëzimi i këtyre të dhënave me të dhëna të tjera që i përkojnë periudhës në fjalë, pra muajit janar, ose prill të vitit 2021, bie në sy fakti se shifrat përputhen. Paga mesatare bruto sipas këtyre dy dokumenteve i afrohet ndjeshëm pagës mesatare bruto të raportuar nga Instituti i Statistikave gjatë periudhës në fjalë. Po ashtu, edhe numri i të punësuarve total me listpagesë i afrohet së tepërmi shifrave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të siguruara rreth një vit më parë nga “Scan Intelligence Unit” në kuadër të një studimi mbi pagën minimale. Sipas atyre të dhënave, në Shqipëri, në shtator të vitit 2020 në listpagesën e tatimeve figuronin 686,167 individë. Kjo shifër është mjaft e përafërt me atë që rrjedh nga `database` i prillit. Duke marrë të mirëqënë se këto të dhëna, por edhe mjaft të dhëna të tjera sinjalizojnë një vërtetësi të shifrave që figurojnë në të, atëherë e gjejmë me vend një analizë në thelb të këtyre të dhënave.

Ajo që bie në sy nga përpunimi i të dhënave është fakti se më shumë se 2/3 e të punësuarve me pagë në vendin tonë, sipas shifrave të prillit 2021, paguhet nën pagën mesatare bruto, që në tremujorin e dytë të vitit fiksohej në 56,710 lekë. Më saktësisht, 68% e atyre që kanë marrë një pagë gjatë prillit të këtij viti, janë paguar nën pagën mesatare bruto të vendit. Bëhet fjalë për rreth 395 mijë individë. Ndërkohë, rrjedhimisht, vetëm 32% e të punësuarve paguhen mbi pagën mesatare bruto. Këto shifra ilustrojnë mjaft mirë pabarazinë. Nga ana tjetër, thuajse 38% e e pagamarrësve paguhen me pagë minimale, pra thuajse 4 në 10. Janë 25% e totalit ata që marrin një pagë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë bruto në muaj. Ata me një pagë 50,001-70,000 lekë në muaj ndërkohë janë 17% e totalit, ndërsa ata me një pagë bruto nga 70,001 lekë deri në 100,000 lekë në muaj janë 13% e totalit. Ata me pagë mbi 100,000 lekë në muaj ndërkohë, janë jo më shumë se 7% e totalit. Shtresa më e mirëpaguar, ata me një pagë mbi 1,000,000- lekë në muaj ndërkohë përbën vetëm 0.06% të totalit. Në total bëhet fjalë për 360 individë. Por, ndërkohë që këta të fundit përbejnë vetëm 0.06% të pagamarrësve, zënë 3.66% të totalit të pagave në vlerë monetare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, të dytët në botë për optimizmin, – Gallup: 70%, optimistë dhe me shpresë për vitin 2022

Postimi mëparshëm

Kreditimi, rekord i ri gjatë nëntorit, – Arrin në 26.3 mld lekë, “falë” huasë së re për ndërmarrjet publike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.