Tregti

2022 u mbyll me tregtinë nën ndikimin e çmimeve/ Në dhjetor eksportet u rritën me 26%, importet me 7.7%, në vlerë

0

Rritja e ndjeshme e çmimeve, si për produktet e importit, ashtu edhe për ato të eksportit e ka mbyllur vitin 2022 me një `fryrje` të ndjeshme të tregtisë së jashtme. Sipas të dhënave që raporton Instituti i Statistikave, gjatë dhjetorit, eksportet e mallrave prekën shifrën e 40 miliardë lekëve, në rritje me 26.1% krahasuar me dhjetorin e vitit 2021, por në rënie krahasuar me nëntorin e vitit 2022, me -4.5%. Nga ana tjetër, importet gjatë muajit të fundit të vitit prekën shifrën e 95 miliardë lekëve, në rritje me 7.7% në terma vjetorë dhe me 22.3% në terma mujorë.

Përgjatë të gjithë vitit 2022 ndërkohë, eksportet fiksohen në 486.8 miliardë lekë, ose rreth 4.2 miliardë euro, ndërsa importet në 950 miliardë lekë, ose rreth 8.2 miliardë euro. Përgjatë vitit 2022 eksportet rezultojnë 32% më të larta se viti 2021, në vlerë, ndërsa importet, 18.7% më të larta se viti pararendës.

Përgjatë dhjetorit ndërkohë, kontributin më të madh në rritjen e eksporteve me 26% në vlerë e kanë dhënë “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike”, me plot 17.5 pikë përqindje, ndjekur nga “ushqime, pije, duhan” me 4 pikë përqindje, si dhe makineritë me 3 pikë pëqindje. Negativisht ka ndikuar grupi i “materiale ndërtimi dhe metale” me -2.5 pikë përqindje.

Edhe në rritjen e importeve me 7.7% gjatë dhjetorit, ndikimin më të madh e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 9,6 pikë përqindje, ndjekur nga “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 3,8 pikë përqindje, ndërkohë që kontribut negativ kanë dhënë tre gupe; produktet kimike, materialet e ndërtimit dhe tekstile e këpucë. Këto të dhëna sinjalizojnë edhe një herë se rritja e ndjeshme e shifrave të tregtisë së jashtme është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve, duke qenë se ndikimin më të madh e kanë dhënë pikërisht grupet që kanë njohur një shtrenjtim të konsiderueshëm, si karburantet, energjia elektrike, apo ushqimet.

Sa i përket tregtisë së jashtme me vendet partnere gjatë dhjetorit, shifrat tregojnë se në drejtim të eksporteve, rritjen më të lartë e regjistrojnë: Kosova me 17.5%, Italia me 0.8% dhe Maqedonia e Veriut me 273.6%, të paktën sipas asaj që raporton Instat. Rënien më të madhe të eksporteve shqiptare gjatë dhjetorit ndër vendet partnere e regjistron Gjermania, me 16.5%.

Nga krahu tjetër, kur bëhet fjalë për importet shifrat tregojnë se vendet me rritjen më të madhe të tyre në dhjetor janë: Zvicra me 690%, Kina me 43.4% dhe Turqia me 2.7%. Në rënie janë: Italia me 7.9%, Greqia me 25.1% dhe Kosova me 20%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria përballë “gjigantëve”/ Krahasimi mes asaj që ekonomia jonë prodhon në vit me kompani si “Amazon”, “Apple”, “Google”

Postimi mëparshëm

“Dita e lirisë” për shqiptarët është 16 marsi/ Deri në këtë datë punojmë për taksat, më pas për veten

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.