EkonomiTregti

Ushqimet shqiptare, rekord historik eksportesh/ Shifrat e shkurtit, Italia blen 1/3-tën e totalit. Peshku, “mbreti” i “Made in Albania”

0

Shifrat e tregtisë së jashtme për shkurtin tregojnë se eksporti i produkteve ushqimore nga Shqipëria ka prekur nivele rekord historike. Gjatë muajit të dytë të vitit janë eksportuar rreth 3.7 miliardë lekë produkte të kategorisë “Ushqime, pije, duhan”, ku pjesën dërrmuese e zënë ushqimet, ndërkohë që vlera e eksporteve për pije dhe duhan është thuajse e papërfillshme. Rreth 3.7 miliardë lekë eksporte në vetëm një muaj, përkthehen në rreth 32 milionë euro. Një vit më parë gjatë shkurtit, eksportet e këtyre produkteve kapnin vlerën e 3 miliardë lekëve, duke u rritur kështu me rreth 23%. Në vitin 2010 këto eksporte ishin vetëm 610 milionë lekë gjatë muajit shkurt, çka do të thotë se në më shumë se një dekadë janë rritur me plot 6 herë.

Në rast se shifrat i shohim vetëm në peshë, pra jo në vlerë, kemi të bëjmë sërish me një rekord të ri historik gjatë shkurtit, me plot 21.2 mijë ton eksporte ushqimesh, pijesh dhe duhani, nga rreth 19 mijë ton që ishte shifra gjatë shkurtit të vitit 2022, pra në rritje me 11.5%. Në vitin 2010 eksportet shqiptare të këtyre grupmallrave në peshë ishin vetëm 2 mijë ton, çka do të thotë se që prej atëherë janë rritur me 10 herë.

Po ku shkojnë ushqimet “Made in Albania”? `Scan Intel` ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare për të kuptuar gjeografinë e eksporteve të ushqimeve tona. Shifrat tregojnë se në vend të parë me një diferencë mjaft të ndjeshme me ndjekësit qëndron Italia, me plot 1.2 miliardë lekë eksporte ushqimesh në një muaj, ose diçka më shumë se 10 milionë euro, duke zënë 32.6% të totalit, thuajse 1 në 3 eksporte. Në vend të dytë ndjek Kosova, me 356 milionë lekë, ose 9.5% të totalit. Greqia ndjek në vend të tretë, me 8.7% të totalit dhe më pas Serbia, me 4.1%, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po me 4.1% të totalit të eksporteve të kësaj kategorie. Spanja, Gjermania, Polonia, Estonia dhe Maqedonia e Veriut mbyllin “Top 10”. Dhjetë vendet e para të listës së origjinës së eksporteve shqiptare të ushqimeve përfaqësojnë rreth 77% të totalit, pra diçka më shumë se ¾-tat.

Në total janë 51 shtete ndaj të cilëve Shqipëria ka eksportuar ushqime gjatë shkurtit, dhe tre të fundit janë: Kili, Korea e Jugut dhe Japonia.

Por, cilat janë “kartolina” e eksporteve shqiptare sa i përket ushqimeve? Duke u bazuar në shifrat e muajit shkurt, në vend të parë, si produkti me vlerën më të lartë nominale të eksporteve sipas kapitujve mes ushqimeve, qëndrojnë produktet e peshkut, me plot 20% të totalit në vlerë. Vetëm kapitujt e ushqimeve vlejnë rreth 3.5 miliardë lekë eksporte gjatë shkurtit, nga të cilat 700 milionë lekë, ose rreth 6 milionë euro përfaqësohen nga “peshku dhe kafshët guackore të nënujshme”, me 20.4% të totalit, dhe ndiqen nga zarzavatet me 17.7% të totalit. Në vend të tretë, po me 17.7% të totalit ndjekin ushimet e përgatitura prej mishi dhe peshku. Ndjekin në renditje, “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” si dhe “Përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj”. Pesë të parat e listës përfaqësojnë plot 86% të totalit të eksporteve shqiptare të ushqimeve, të paktën referuar shifrave të muajit shkurt të këtij viti.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët janë bërë më të lumtur! Por, sipas “Raportit Global të Lumturisë 2022”, mbetemi vendi i parafundit në rajon

Postimi mëparshëm

Shqiptarët nuk argëtohen dot, të fundit në Europë/ EUROSTAT: 48% nuk mund të hanë në restorant, as një herë në muaj, 70% nuk dëfrehen në kohën e lirë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.