ÇmimetTurizëm

Turizmi, rritja më e ulët e çmimeve ndër vite/ E thotë Instat, vetëm 1.5% janë shtrenjtuar hotelet, 2.7% argëtimi, 5.1% restorantet

0

Sipas shifrave më të fundit të Institutit të Statistikave mbi indeksin e çmimeve të konsumit, çmimet në sektorin e turizmit këtë sezon veror janë rritur me një hap më të ngadaltë se vitet e kaluara. Të dhënat i referohen muajit Korrik, duke përkuar kështu me kulmin e sezonit turistik. Çmimet e akomodimit, si një ndër zërat kryesorë në buxhetin e pushimeve për një familje, sipas Instat janë rritur me vetëm 1.5% gjatë muajit korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është rritja më e ulët që prej Korrikut të vitit 2017, kur çmimet ishin në stanjacion, pra zero ndryshim krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë 2022-shit ndërkohë, në kulmin e krizës së çmimeve, shërbimet e akomodimit shtrenjtoheshin me 3.3% në terma vjetorë, në 2021-shin me 2.5%, 2020-ën me 3.7% dhe 2019-ën me plot 3.8%. Madje, rritja e çmimit për hotelet dhe akomodimin në tërësi këtë vit në Shqipëri rezulton të jetë ndjeshëm më e ulët edhe se mesatarja historike që prej vitit 2009, që fiksohet në 2.2%.

Thënë më shkurt, nëse një vit më parë, marrim si shembull një natë akomodimi në hotel që kushtonte 5000 lekë, sipas Instat, ky çmim është ngjitur pranë 5075 lekëve këtë vit, pra në rritje me vetëm 75 lekë, ose diçka më pak se një euro.

Edhe çmimet nëpër kafene dhe restorante janë rritur në Korrik me një hap më të ngadaltë se viti i kaluar, tregojnë shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Ky zë regjistrohet pranë 5.1% rritje, nga 6.3% që ishte rritja e çmimeve Korrikun e vitit të kaluar. Pavarësisht se rritja e çmimeve për këtë zë është më e ngadalatë se një vit më parë, vijon të mbetet ndjeshëm mbi mesataren historile. Shërbimet e transportit, si një zë tjetër që zë deri diku peshë gjatë pushimeve janë shtrenjtuar vetëm 1.9% këtë Korrik, ndjeshëm nën nivelin e dy viteve të kaluara, si dhe pranë mesatares historike, që fiksohet pranë 1.7%. Ky zë përshin transportin si shërbim dhe blerjen apo shërbimin ndaj mjeteve personale, dhe jo çmimin e karburantit, pasi ky zë është më vete. Edhe në këtë pjesë ka disa pikëpyetje sa i përket saktësisë së matjes, pasi gjatë kulmit të krizës së hidrokarbureve, rritja sipas Instat figuronte në nivele mjaft të ulta nga realiteti. Ndërkohë që çmimi i karburantit në vendin tonë u rrit deri në mbi 40% në tregun me pakicë, sipas instat, rritja e çmimeve për këtë zë nuk i kalonte 10%. Madje në Korrik 2022, çmimet e “lëndëve djegëse dhe energjisë” si zë më vete rriteshin vetëm me 4.5%, ndërkohë që nafta tregtohej me pakicë edhe mbi 240 lekë.

Në këtë analizë kemi marrë edhe dy zëra të tjerë që mund të lidhen direkt ose indirekt me pushimet dhe turizmin; pijet alkoolike dhe argëtimin e kulturën. Për këtë të fundit, rritja e çmimeve në Korrik fiksohet pranë 2.7%, lehtë mbi nivelin e vitit të kaluar, kur fiksohej në 1.8%. Sa i përket pijeve alkoolike, kemi një ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve, pranë 3.2% këtë sezon veror, nga 4.7% një vit më parë, apo 3.4% gjatë 2021-shit.

Pra, sipas Instat, të paktën referuar muajit Korrik, rritja e çmimeve për shërbimet dhe mallrat kryesorë për pushime është thuajse e papërfillshme krahasuar me një vit më parë. Por, nga ana tjetër, të dhëna të tjera, si ato të Barometrit të Ballkanit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) tregojnë se 60% e shqiptarëve nuk i përballojnë dot një javë pushime në vit. Ndërkohë, këtë vit Shqipëria është dyndur nga turistë të huaj, në rritje me 33% në gjysmën e parë të vitit, dhe deri në Dhjetor me shumë gjasa do të thyhet me diferencë të ndjeshme rekordi i mëparshëm historik, dhe një ndër faktorët kryesorë të këtij “boomi” është konkurrueshmëria e çmimeve të sektorit, sidomos krahasuar me vende si Kroacia, Greqia, apo edhe Italia.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, ndër destinacionet e preferuara/ Skift Research: Jemi ndër 10 vendet me rritjen më të lartë të turistëve në botë

Postimi mëparshëm

Ku po marrin më shumë kredi qytetarët? Në Elbasan rritja më e madhe e huasë. Lezha, e vetmja me rënie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.