Tregti

Tregtia e jashtme me rënie në mars/ Shifrat marrin kthesë. Importet dhe eksportet u ulën me 11.7% dhe 3.7%

0

Të dhënat e tregtisë së jashtme referuar muajit mars të këtij viti tregojnë se eksportet dhe importet kanë rënë në vlerë, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu, në mars të vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke rënë me 11.7%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 81 mld lekë, duke rënë me 3.7%, në krahasim me një vit më parë. Nëse do të flisnim në terma tremujorësh, përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 123 mld lekë, duke u rritur me 2.1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 208 mld lekë, duke u rritur me 0.4%, krahasuar me një vit më parë. Pra, shifrat e tregtisë së jashtme regjistrojnë një rritje modeste në vlerë gjatë tremujorit të parë, si për eksportet ashtu edhe për importet, dhe një rënie në muajin mars të këtij viti. Këto tregues në publikimin më të fundit të “Institutit të Statistikave” pasqyrojnë një kthesë të tregtisë së jashtme pas një fryerje të ndjeshme në vitin 2022, i cili ishte një vit krize si pasojë e rritjes së çmimeve.

Nga ana tjetër, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë eksportet dhe importet kanë shënuar rritje, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti me parë. Eksportet në peshë janë rritur me 6.2% për muajin mars të këtij viti. Po t’i analizojmë sipas grupmallrave shohim se në peshë rritjen më të lartë sa i përket eksporteve e kanë shënuar “ Minerale dhe lëndë djegëse” me 18.2%, ndërkohë rënie në peshë të eksporteve regjistrojnë produktet kimike me 16.6%, lëkura dhe prodhimet e drurit me 15.6% dhe 19.9%. Eksportet e ushqimeve në peshë ndërkohë janë rritur me 0.5%.

Në drejtim të importeve, shifrat tregojnë se edhe ato janë rritur në volum, me 6.4%, paçka se në vlerë paraqiten me rënie. Kjo duket të jetë rrjedhojë kryesisht e rritjes prej 36.8% të importit të hidrokarbureve, si pasojë e rënies së ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Edhe produktet kimike paraqiten me një rritje të ndjeshme me 38.2% tregojnë të dhënat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Sa i përket kontributit të grupeve kryesore gjatë muajit mars në uljen e eksporteve prej 11.7%, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8.6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.6 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 1.6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.8 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 0.2 pikë përqindje.

Në drejtim të importeve ndërkohë, në rënien e tyre prej 3.7% kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 1.5 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 3.0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 2.1 pikë përqindje.

Në muajin mars të vitit 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me marsin e vitit 2022 janë Kosova me 2.0%, Greqia me 28.0% dhe Spanja me 170.5%. Sa i përket importeve vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe kanë qenë Kina me 2.8%, Gjermania me 2.5% dhe Zvicra me 335.1%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Biznesi i bulmetit/ Analiza e tregut, “Erzeni” `rrëmben` vendin e parë, kompanitë dyfishojnë fitimin

Postimi mëparshëm

Turizmi, me rritje në shkurt/ Më shumë se gjysma janë të huaj. Veriu, më i preferuar se jugu

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.