EkonomiTregti

Tregtia e jashtme bie ndjeshëm në nëntor/ Importet me rënien më të madhe, “frenohen” ushqimet. Sinjal i tkurrjes së konsumit?

0

Të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme për muajin nëntor të këtij viti tregojnë sinjale të qarta ngadalësimi. Kështu, shifrat e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se eksportet gjatë nëntorit janë rritur me 12.9% në vlerë, duke prekur shifrën e 42 miliardë lekëve, por kanë rënë në peshë, me 4.2%. Kjo tendencë është vënë re përgjatë të gjithë vitit aktual, pasi kriza e çmimeve është reflektuar në vlera më të larta, por në më pak produkte të tregtuara. Jo e njëjta gjë mund të thuhet për importet. Për herë të parë gjatë vitit vihet re se në nëntor, importet kanë rënë si në vlerë, ashtu edhe në peshë. Në vlerë, importet në nëntor kanë rënë me 3.9%, duke u fiksuar në 77 miliardë lekë, ndërkohë që në peshë kanë rënë me plot 13.7%.

Shifrat sinjalizojnë se, defiçiti tregtar i muajit fiksohet pranë 35 miliardë lekëve, duke u ulur me 18.5% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Ndërkohë, shifrat tregojnë se sipas grupmallrave, materialet e ndërtimit dhe metalet kanë regjistruar rënien më të lartë vjetore në peshë, me 24.5%, por edhe në vlerë, me plot 19.3%. Në rënie janë edhe prodhimet e drurit, me 21.2%, paçka se ne vlerë regjistrojnë rritje dyshifrore produktet e lëkurës dhe ato kimike regjistrohen gjithashtu në rënie krahasuar me një vit më parë në peshë, paçka se në vlerë regjistrojnë rritje. Nga krahu i kundërt ndërkohë, ushqimet janë rritur me 6% krahasuar me një vit më parë në peshë, dhe me 15.5% në vlerë.

Duke kaluar te importet, shohim se rënien më të konsiderueshmne e regjistrojnë ushqimet, me 32% në peshë, dhe me 4% në vlerë, çka sinjalizon se kriza e çmimeve ka dhënë impakt në këtë drejtim, por edhe se konsumi është në rënie. Edhe produktet kimike, lëndët djegëse, materialet e ndërtimit dhe metalet, tekstile e këpucë regjistrojnë rënie në peshë të importeve gjatë nëntorit, krahasuar me një vit më parë. Në vlerë ndërkohë shohim se lëndët djegëse minerale regjistrojnë rënien më të madhe, me plot 39%, rrjedhojë e rënies së çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht se në tregun e brendshëm, kjo rënie nuk është reflektuar në të njëjtën masë.

Instituti i Statistikave në publikimin mbi tregtinë e jashtme për nëntorin, thotë se vendet partnere me të cilat Shqipëria ka regjistruar rritjen më të lartë të eksporteve në terma vjetorë janë: Italia me 11%, Maqedonia e Veriut me 68% dhe Spanja me 74%, ndërkohë që në rënie rezulton Kosova, me 9.3%, Greqia me 4%, dhe Kina me 26.6%, në vlerë. Analiza e shifrave tregon gjithashtu se Shqipëria ka rritur ndjeshëm eksportet sidomos ndaj dy shteteve; Austrise dhe Suedisë. Sa i përket importeve, rritje regjistrojnë: Turqia, Kina dhe Gjermania, ndërsa Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut janë në rënie.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Eurostat sqaron arsyet përse shqiptarët nuk blejnë online/ Gjysma preferojnë dyqanet fizike, 25% nuk e ndjejnë të nevojshme, dhe të tjerët nuk dinë se si apo kanë “frikë”

Postimi mëparshëm

Turizmi vazhdon me rekorde edhe në vjeshtë/ Gjatë tetorit, thuajse dyfish më shumë vizitorë se vitin e kaluar, netë qëndrimet rriten me 32.5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.