Tregti

Tekstilet vijojnë të “dënojnë” eksportet/ Ranë me 8.9% në Qershor. Ndikuan negativisht edhe ushqimet

0

Të dhënat e tregtisë së jashtme nuk befasojnë më edhe për muajin Qershor të këtij viti. Sipas publikimit të INSTAT, eksportet kanë vijuar rënien, edhe pse paraqitet më e lehtë se në muajin Maj. Shifrat tregojnë se eksportet arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 8.9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0.1%, në krahasim me Majin e vitit 2024. Nga ana tjetër, importet e mallrave kanë ndjekur një trajektore tjetër. Vlera e tyre arriti në 77 mld lekë, duke u rritur me 2.1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke rënë me 3.3%, në krahasim me një muaj më parë. Po ashtu, lajme negative kemi edhe sa i përket vlerës së defiçitit tregtar. Sipas INSTAT, defiçiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u rritur me 13.4%, krahasuar me Qershorin e vitit 2023.

Nëse i analizojmë në volum, pra në peshë, vihet re se përgjatë një viti eksportet kanë rënë me 1.8%, ndërsa importet në volum janë rritur me 16% në Qershor.

Por çfarë tregojnë shifrat sa i përket gjashtë muajve të parë të vitit? Të dhënat sërish na paraqesin të njejtën panoramë. Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 199 mld lekë, duke u ulur me 14.9%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u rritur me 0.3%, krahasuar me një vit më parë.

Nëse analizojmë shifrat për të gjetur “shkaktarin” në drejtim të rënies së ekporteve në vlerë, shohim se edhe në terma mujorë, por edhe në terma gjashtëmujorë, tekstilet kanë patur ndikimin negativ më të madh.

Gjatë muajit Qershor të këtij viti, në uljen e eksporteve, kanë ndikuar negativisht grupet “Ushqime, pije, duhan” me 6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 4.6 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 0.8 pikë përqindje.

“Scan Intel” ka analizuar ndryshimin vjetor të grupeve për të parë se ku vihen re diferencat më të mëdha. Të dhënat tregojnë se rënia më e madhe vjetore vihet re në grupin “Ushqim, pije dhe duhan” me 31.9%, pasuar nga grupi “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me rreth 15% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 15.8%, duke dëshmuar edhe njëherë ngërçin në këtë sektor nga rritja e kostove si pasojë e rënies së euros. Gati të gjitha grupet vihen re më rënie përveç grupit “Të tjera”, i cili ka shënuar një rritje prej 151%.

Po të flasim në drejtim të importeve, gjatë muajit Qershor të vitit 2024, kanë ndikuar negativisht produktet kimike, lëkura dhe artikujt prej saj, prodhimet e drurit, tekstilet dhe makineritë. Nga ana tketër, pozitivisht ndikuan ushqimet, hidrokarburet, materialet e ndërtimit dhe grupi “Të tjera”.

Por si kanë ndryshuar importi i grupeve kryesore në harkun kohor të viti? Rënia më e madhe e importeve vërehet në grupin e tekstileve.  Grupi “Lëkure dhe artikuj prej lëkure” ra me 9.9%, ndërsa importet e grupit “Tekstile dhe këpucë” ranë me 8%. Nga ana tjetër, vihet re një rritje e importeve të materialeve të ndërtimit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Punësimi, 7 qarqe të Shqipërisë me fokus në bujqësi/ Për gratë e Kukësit dhe Dibrës, shkalla zyrtare më e lartë se për burrat

Postimi mëparshëm

Çmimet në Shqipëri, sa në Gjermani/ Inflacioni sipas metodës së Eurostat arriti në 2.5% në Qershor

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.