EkonomiFinancë

Sa mund ta përballojnë familjet shqiptare krizën? Gjysma e tyre nuk mund të rezistojë më shumë se 3 muaj

0

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me pasurinë e familjeve shqiptare jep detaje me shifra sa i përket një krize të mundshme për to. Kështu, në vrojtimin që vjen në formë anketimi mbi më shumë se 2200 familje vlerësohet vulnerabiliteti i tyre në rast se të ardhurat e familjes do të merrnin një goditje. Kjo përllogaritje bëhet mbi bazën e vlerësimit të OECD për konsumin jetik, i cili projektohet në 50% të medianës së të ardhurave të familjes. Rezistenca e familjeve përcaktohet si numri i periudhave (muajve) gjatë të cilave një familje mund të mbulojë konsumin jetik dhe ngarkesën e kredisë me aktivet likuide, në rast të humbjes së të ardhurave.

Shifrat tregojnë se, mediana e rezistencës për familje në Shqipëri fiksohet në 4 muaj, dhe në 7 muaj mesatarja. Por, shifrat duket të jenë alarmante për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, pasi tregojnë se thuajse gjysma e familjeve, ose më saktë, 47% e tyre mund të rezistojnë nga 0 deri në vetëm 3 muaj, ndërsa 13% e familjeve nuk mund të rezistojnë dot asnjë muaj në rast se të ardhurat e tyre pësojnë një goditje. Vetëm 19% e familjeve shqiptare duket të kenë një rezistencë më shumë se 1 vit.

Këto shifra i referohen vitit 2019, pra përpara krizave të njëpasnjëshme, të shkaktuara nga covid-19 dhe kriza e çmimeve, që kulmoi me luftën në Ukrainë. Por, gjithsesi japin një panoramë deri diku të qartë të presionit që kanë pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare dhe frikës se një goditje në të ardhura, që mund të ndodhi nga humbja e vendit të punës, apo kriza e biznesit, mund të shkaktojë probleme madhore në konsumin e familjes dhe pagesën e kësteve të kredive. Ndër të tjera, këto të dhëna vijnë në një kohë që familjet shqiptare dhe biznesi po gjenden në vështirësi si pasojë e krizës së çmimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shumë pasagjerë, por pak mallra/ Muaji mars sinjalizon rënie të volumit të mallrave me 4%, rriten ndjeshëm fluturimet

Postimi mëparshëm

Pronat, një pjesë e madhe, bosh/ 13% e familjeve nuk i shfrytëzojnë fare, 32% e përdorin si shtëpi të dytë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.