Popullsia

Kontrasti i të dhënave demografike/ Nga Gjirokastra, në Shkodër! Çfarë të rejash solli Censi i popullsisë?

0

Në harkun kohor të 12 viteve, popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie të ndjeshme me rreth 420 mijë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Konkretisht, popullsia banuese në Shqipëri, sipas llogaritjeve të rezultateve të Censit, rezulton të jetë 2,402,113 persona. Ndërkohë, në Censin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, popullsia banuese ishte 2,821,977 persona. Kjo rënie përshtatet edhe me trendin e tre dekadave dhe projeksionet e popullsisë për vendin tonë. Nëse analizojmë dinamikën e censeve të zhvilluara gjithsej në Shqipëri  vëmë re se numri më i lartë i popullsisë është regjistruar në Censin e vitit 1989, me 3.2 milionë banorë.

Ky reduktim i theksuar ka sjellë edhe një ndryshim të dukshëm në strukturën demografike të vendit. Mosha mesatare e popullsisë tani ka arritur në 42.5 vite nga 35.3 vite që ishte në publikimin e Censit të vitit 2011. Pra, konstatohet një rritje prej 7 vitesh e cila tregon për një plakje të shpejtë të popullsisë në shkallë kombëtare.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar shpërndarjen e popullsisë në 12 qarqet e vendit. Sipas të dhënave zyrtare konstatojmë se rreth 1/3 e popullsisë shqiptare banon në qarkun e Tiranës. Ky përqendrim i lartë tregon se Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore e vendit, duke tërhequr gjithnjë e më shumë njerëz. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri, me rreth 10%, i ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9.7%. Në kontrast, Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët të popullsisë, me vetëm 2.6% dhe 2.5% respektivisht.

Por si ka ndryshuar popullsia në më shumë se një dekadë? Gjatë periudhës 2011-2023 vihet re një trend rënës i popullsisë në të gjitha qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shifrat tregojnë se Shkodra dhe Kukësi renditen në krye të kësaj rënie. Konkretisht, qarku i Shkodrës ka pësuar një reduktim të popullsisë  prej 28.3%, ndërsa Kukësi ka humbur 27.3% të popullsisë së tij. Në të kundërt, rënia më e vogël është regjistruar në qarkun e Beratit, me vetëm 0.7%.

Ndërkohë, Tirana, megjithëse ka parë një rritje të popullsisë, kjo rritje ka qenë tepër modeste, vetëm 1.2%, kryesisht për shkak të migracionit të brendshëm. Kjo rritje në kryeqytet, krahasuar me rënien e popullsisë në qarqet e tjera, ka çuar në një rritje të përqindjes së popullsisë që banon në kryeqytet, nga 26.8% në vitin 2011 në 31.6% në vitin 2023.

Por, kjo është panorama e re qe ne marrim sipas Censit 2023, pasi nëse  analizojmë të dhënat e INSTAT përsa i përket publikimit ” Popullsia në 1 Janar 2023″ shifrat nxjerrin Gjirokastrën si qarkun me reduktimin më të lartë të popullsisë dhe jo Shkodrën. Konkretisht, gjatë periudhës 2011-2023, INSTAT tregon se në Gjirokastër popullsia ra me 32%, ndërsa Shkodra ka humbur 16.1% të popullsisë. Gjithashtu, në renditje vihet re se edhe Berati ka patur një rënie të konsiderueshme me 25.5% ndjekur nga Kukësi me 20%.

Nga ana tjetër, vendi ynë po përballet me sfidën e plakjes së popullsisë në nivel kombëtar. Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër në Shqipëri është i dukshëm edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve ka rënë nga 30.4% në 2011, në 24% në 2023. Ndërkohë, raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 16.7% në 2011, në 30.4% në 2023. Këto ndryshime reflektojnë një shoqëri në plakje, ku numri i të moshuarve që kërkojnë mbështetje po rritet ndërkohë që numri i të rinjve po bie.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra shfaqin kontraste të theksuara. Kukësi ka raportin më të lartë të varësisë së të rinjve me 31.8% dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve me 19.9%. Ky tregues nënkupton se Kukësi ka një popullsi më të re që mund të kontribuojë në forcën e punës dhe zhvillimin ekonomik.

Në anën tjetër, Gjirokastra ka raportin më të ulët të varësisë së të rinjve me vetëm 19%dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve me 46.1%. Ky i fundit është edhe qarku me përqindjen më të lartë të popullsisë së lindur jashtë, me 2.8%. Ndërsa në tre qarqe të tjera si Vlorë, Tiranë dhe Durrës popullsia e lindur jashtë është mbi mesataren përkatësisht mbi 1.7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset morën më pak hua në maj/ “Tregtia me shumicë dhe me pakicë” kryeson me 35.2% të totalit të kreditimit

Postimi mëparshëm

Rritja e nivelit arsimor në Shqipëri/ 43.2% e popullsisë 25-34 vjeç me arsim të lartë. Afër nivelit të BE-së

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.