Popullsia

Jo vetëm lindjet, por edhe vdekjet “kërcënojnë” popullsinë/ Në 10 qarqe të vendit u regjistruan më pak bebe

0

Të dhënat demografike në tre muajt e dytë të vitit aktual tregojnë se numri i lindjeve dhe i fataliteteve paraqiten në drejtim të kundërt, por të dy treguesit kanë ndikim të njejtë në numrin total të popullsisë, duke e çuar në rënie. Nëse në tremujorin e parë të viti numri i vdekjeve ra, të dhënat tregojnë se në tremujorin e dytë paraqiten me rritje në 1.3%. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet nga INSTAT në 5,014. Sipas të dhënave, tetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, ndërsa katër qarqe të tjera shënojnë rritje, në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Qarku me numrin të ulët të vdekjeve është Kukësi me 110 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1,272 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 e zë qarku i Beratit me rënie prej 13.2%, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Fierit me 14.3%.

Nga ana tjetër, numri i lindjeve nuk surprizon, duke vazhduar trendin rënës që ka shfaqur në këto vitet e fundit. Lindjet për tremujorin e dytë të vitit 2024 janë 5,269, duke shënuar një rënie me 3.4%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Megjithëse në rënie, duhet theksuar se në tremujorin e dytë ritmi rënës është ngadalësuar, nga 6.8% që binte në tremujorin e parë të këtij viti.

Në tremujorin e dytë 2024, dy qarqe të vendit shënojnë rritje të numrit të lindjeve, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë, krahasuar me tremujorin e dytë e vitit 2023 e ka qarku i Beratit me 3.2%, ndërsa rënien më madhe e ka qarku i Gjirokastrës me 18.6%.

Ndryshe nga tremujori i parë i vitit 2024, shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2024 rezulton pozitive, duke regjistruar 255 lindje më shumë se sa vdekje. Por ky tregues nuk rezulton pozitv për të gjithë qarqet. Katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 741 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 187 vdekje më shumë se sa lindje.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tirana, më e shtrenjtë se kryeqytetet e tjera në rajon/ Mercer: Luhatjet në kursin e këmbimit në vend rritën kostot për punonjësit e huaj

Postimi mëparshëm

A po e teprojmë me importin e çadrave të diellit? Regjistrohet sërish rekord në qershor, vlera arriti në 71.5 milionë lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.