Tregti

Gjeografia e tryezës shqiptare/ Italia zë peshën më të madhe të importit të ushqimeve, me 19.2%

0

Shifrat e tregtisë së jashtme tregojnë se importi i produkteve ushqimore nga Shqipëria ka prekur rekord historik. Gjatë vitit 2022 janë importuar rreth 149 miliardë lekë produkte të kategorisë “Ushqime, pije, duhan”. Sipas të dhënave të INSTAT ky kapitull nuk është i ndarë prandaj shifrat e importit të ushqimeve nuk janë të zhveshura nga pijet dhe duhani, megjithatë pjesën dërrmuese e zënë ushqimet. Në vitin 2021 janë llogaritur 130 miliard lekë importe të ushqimeve, duke shënuar kështu një rritje për vitin 2022 me 14.7%. Që nga viti 2004 importet e ushqimeve kanë shënuar rritje vit pas viti, duke arritur rekord në vitin 2022.

Por cila është gjeografia e tyrezës shqiptare? `Scan Intel` ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare për të kuptuar se nga vijnë importet e ushqimeve. Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” partneri kryesor sa i përket importeve të ushqimeve është Italia me vlerë rreth 28.6 miliard lekë. Ndjek në renditje Greqia me 18.1 miliard lekë dhe Serbia është e treta me 11.4 miliardë lekë për vitin 2022. Polonia, Turqia, Gjermania dhe Brazili ndjekin në renditje.

Nëse e analizojmë në peshë shohim se në totalin e importeve të ushqimeve Italia zë 19.2%, Greqia 12.2%, Serbia 7.6% dhe Polonia si partneri i katërt zë 5.6%. Referuar të dhënave Kosova zë 2.4% të totalit në importin e ushqimeve për vitin 2022.

Por, cilat janë produktet kryesore të importeve shqiptare sa i përket ushqimeve? Duke u bazuar në shifrat vitit 2022, në vend të parë, si produkti me vlerën më të lartë nominale të importeve sipas kapitujve mes ushqimeve, qëndrojnë produktet e peshkut, me 12.1% të totalit në vlerë. Ndiqet nga drithërat me një peshë po prej 10.6%. Vajrat, mishi, zarzavatet dhe frutat ndjekin në renditje mes kapitujve ushqimore me peshën më të lartë ndaj totalit të importeve të ushqimeve gjithsej. Sipas shifrave të INSTAT pesë të parat e listës përfaqësojnë 48.6% të totalit të importeve shqiptare të ushqimeve, të paktën referuar shifrave të vitit 2022.

Nga të dhënat e analizuara nga ‘Scan Intel’ produktet e peshkut në Shqipëri vijnë kryesisht nga Groenlanda dhe Kroacia. Sa i përket dridhërave importet me vlerën më të lartë i kemi me Serbinë, Rusinë dhe Ukrainën. Ndërkohë, nga ana tjetër, bulmeti vjen kryesisht nga Italia dhe Gjermania, ndërsa mishi nga Brazili dhe Italia. Sipas INSTAT frutat kryesisht vijnë nga Ekuadori, ndërsa zarzavatet nga Gjermania dhe Greqia.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

31.5% e mjeteve “ngelin në klasë”/ Rritet norma e makinave që nuk kalojnë testin e kontrollit teknik

Postimi mëparshëm

Turizmi, më shumë ikën se sa erdhën/ Por, sezoni vazhdoi edhe në vjeshtë, 1.1 milion të huaj vizituan vendin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.