Popullsia

Cili qark ka jetëgjatësinë më të lartë? Tirana dhe Durrësi mbi mesataren kombëtare, Gjirokastra e fundit

0

Përgjatë viteve të fundit jetëgjatësia në Shqipëri ka ruajtur relativisht një ritëm të qëndrueshëm deri në vitin 2020 dhe 2021, ku shumë tregues demografikë i’u nënshtruan ndikimit të pandemisë. Rikujtojmë se jetëgjatësia e pritur në lindje tregon se sa vite pritet të jetojnë njerëzit, bazuar kjo në koeficientët specifik të vdekshmërisë për një vit të caktuar.

Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave”, përgjatë vitit 2022, jetëgjatësia e pritur në lindje duket se po ndjek një trajektore pozitive duke shënuar rritje. Ky tregues në Shqipëri për të gjithë popullsinë ishte 79.1 vite, ndërkohë shifrat e vitit 2022 tregojnë se gratë në vendin tonë jetuan mesatarisht 80,9 vite, ndërsa burrat 77.3 vite. Pra, mund të themi se gratë jetuan 2.2 vite më shumë se në vitin 2021 dhe burrat 2.9 vite më shumë, duke kaluar edhe nivelet para pandemisë, ndërkohë që gratë jetuan 3.6 vite më shumë se burrat.

Në vitin 2022, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje është qarku i Tiranës me 82.8 vite, pasuar nga qarku i Durrësit dhe i Kukësit me 81 vite dhe 80.6 vite respektivisht. Sipas të dhënave të Instat, këto tre qarqe të cilat kryesojnë renditjen qëndrojnë mbi mesataren kombëtare. Poshtë mesatares vjen qarku i Elbasanit me jetëgjatësinë të pritur në lindje në 78.7 vite dhe pasohet nga Dibra, Lezha, Vlora, Fieri dhe Berati. Nga ana tjetër, tre qarqet me jetgjatësinë më të ulët janë Shkodra me 76.8 vite, Korça me 76.3 vite dhe Gjirokastra me 75.2 vite.

Sa i përket jetëgjatësisë sipas gjinisë dhe qarqeve, qarku me treguesin më të lartë për burrat ishte i Tiranës, me 81.0 vite, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte i Gjirokastrës, me 72.5 vite. Në të njëjtin vit, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për gratë ishte i Tiranës, me 84.5 vite, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte i Gjirokastrës, me 77.9 vite.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ku është më e rrezikshme të jesh shofer? Libani zë vendin e parë, Shqipëria pozicionohet në mes të renditjes

Postimi mëparshëm

Kush e financon biznesin shqiptar? Anketa e RCC: Mbi 90% nga burimet e brendshme, 7% nga huadhënësit informalë/ fajdexhinjtë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.