Tregti

Analiza e tregtisë së jashtme për vitin 2023/ Eksportet “tkurren” me 9.5%, nënçmimi i euros “fajtori” kryesor

0

Rënia e ndjeshme e çmimeve, si për produktet e importit, ashtu edhe për ato të eksportit e ka mbyllur vitin 2023 me një `tkurrje` të ndjeshme të tregtisë së jashtme. Jo vetëm rënia e çmimeve, por edhe luhatja e monedhës europiane në tregun valutor ka pjesën e saj në treguesit e tregtisë së jashtme. Sipas të dhënave që raporton Instituti i Statistikave, gjatë dhjetorit, eksportet e mallrave prekën shifrën e 38 miliardë lekëve, në rënie me 6.6%, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021, por në rritje krahasuar me nëntorin e vitit 2023, me 14.2%. Nga ana tjetër, importet gjatë muajit të fundit të vitit prekën shifrën e 73 miliardë lekëve, në rënie me 23.1%.

Përgjatë të gjithë vitit 2023 ndërkohë, eksportet fiksohen në 440 miliardë lekë, ndërsa importet në 873 miliardë lekë. Gjatë vitit 2023 eksportet rezultojnë 9.5% më të ulta se viti 2022, në vlerë, ndërsa importet, 8.2% më pak se viti pararendës.

Nëse do të flasim në harkun kohor të një viti, në rënien e eskporteve prej 9.5%, krahasuar me një vit më parë, kanë ndikuar negativisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4.5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.8 pikë përqindje, etj. Ndërkohë, pozitivisht ka ndikuar grupi “Ushqime, pije, duhan” me 0.8 pikë përqindje.

Ndërkohë, grupi kryesor që ka ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.3 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë eksportet dhe importet nuk kanë shkuar në të njetin drejtim për vitin 2023. Nëse një vit më parë për shkak të çmimeve të larta u blenë më pak mallra dhe më shtrenjtë, këtë vit më shfryrjen e çmimeve duket se në sasi kemi blerë dhe kemi shitur më shumë mallra. Importet dhe eksportet kanë shënuar rritje, krahasuar me një vit më parë, përkatësisht me 8.2% dhe 8.5%.

Por si paraqitet situata sipas grupeve? Po të analizojmë ndryshimin vjetor sipas grupmallrave shohim se në peshë rënien më të lartë sa i përket eksporteve e kanë shënuar grupi “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 21.5%, ndërkohë ndjek në renditje me një rënie të konsiderueshme “Prodhime druri dhe letre” me 20.2% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 12.2%, çka konfirmon impaktin e zhvlerësimit të euros te industria fasone. Rritje në volum në drejtim të eksporteve kanë shënuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, ener. elek.”,  “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Ushqim, pije dhe duhan”.

Në drejtim të importeve, shifrat tregojnë se janë rritur në volum, ndërkohë që me rënie paraqiten vetëm grupet “Tekstile dhe këpucë” me 5.8% dhe “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 14.4%.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe ndryshim në vlerë të importeve dhe eksporteve sipas grupeve. Shifrat tregojnë se për eksportet me rritje paraqiten vetëm ushqimet me 7.6%, ndërkohë të gjitha grupet e tjera janë në rënie. Rënien më të lartë vjetore të eksporteve në vlerë e kanë regjistruar grupet “Prodhime druri dhe letre” me 21.7% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 21%, krahasuar me vitin 2022.

Ndërkohë, nga ana tjetër, nëse analizojmë ndryshimin vjetror të importeve në vlerë shohim se me rritje janë vetëm makineritë, ndërkohë të gjitha grupet e tjera janë më rënie, ku rënien më të lartë e ka regjistruar grupi “Minerale, lëndë djegëse, ener. elek.” me 40.6% dhe “Lëkure dhe artikuj prej lëkure” me 19.8%.

Nga 10 partnerët kryesorë tregtarë për vitin 2023, rënien më të madhe të eksporteve Shqipëria e ka patur me Gjermaninë më 27.7% dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, rritje të eksporteve janë regjistruar me Kosovën, Malin e Zi dhe Greqinë e Kinën.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Eurostat: Inflacioni e mbyll vitin në 4.5%/ Në dhjetor çmimet u rritën më shumë se në BE, Kosova poshtë mesatares europiane

Postimi mëparshëm

50% më shumë aksidente në fundvit/ Në rrugë, dita e shtunë si “Black Saturday”. Shkaktarë, shoferët e papërgjegjshëm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.