Tregti

Tekstilet “groposin” eksportet/ Shifrat e tregtisë së jashtme i rikthehen rënies në Maj

0

Shifrat e tregtisë së jashtme i janë rikthyer trendit të para dy muajve, duke u paraqitur me rënie si për eksportet, ashtu edhe për importet. Rikujtojmë se në muajin Prill, të dhënat flisnin për një tendencë të kundërt nga ajo që ishte e pranishme përgjatë tremujorit të parë të vitit 2024, duke përmirësuar kështu edhe defiçitin tregtar. Megjithatë, në muajin Maj të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke rënë me 12.4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 0.5%, në krahasim me Prillin e po të njejtit vit. Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën vlerën 79 mld lekë, duke u rënë me 1.6%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 5.3%, në krahasim me një muaj më parë.

Nëse i analizojmë në volum, pra në peshë, vihet re se përgjatë një viti eksportet kanë rënë me 4.2%, ndërsa importet në volum janë rritur me 11.7%.

Nëse flasim në harkun kohor të pesë muajve të dhënat tregojnë se eksportet e mallrave arritën vlerën 165 mld lekë, duke u ulur me 16.1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 364 mld lekë, duke u ulur me 0.02%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, deficiti tregtar arriti vlerën 199 mld lekë, duke u rritur me 18.9%.

Nëse analizojmë kontributin e grupeve në drejtim të eksporteve, bie në sy ndikimi negativ i tekstileve prej 7.6 pikë, duke reflektuar edhe një herë krizën në sektor. “Scan Intel” ka analizuar ndryshimin vjetor të grupeve për të parë se ku vihen re diferencat më të mëdha. Të dhënat tregojnë se rënia më e madhe vjetore vihet re në grupin “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me rreth 40% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 24.3%. Gati të gjitha grupet vihen re më rënie përveç eksportit të karburanteve me një rritje prej 2.4%.

Po të flasim në drejtim të importeve, gjatë muajit Maj të vitit 2024, në uljen e tyre prej 1.6%, kanë ndikuar negativisht grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.6 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.8 pikë përqindje.

Por si kanë ndryshuar importi i grupeve kryesore në harkun kohor të viti? Rënia më e madhe e importeve vërehet në grupin e lëndëve djegëse me 25%. Me rënie po ashtu vihen re grupet “Produkte kimike”, “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” dhe “Tekstile dhe këpucë”, ndërkohë importi për grupet e tjera paraqitet me rritje.

Në muajin Maj, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Majin e vitit 2023 janë: Kosova (3.9%), Maqedonia e Veriut (20.0%), Kina (80.5%). Ndërkohë, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (23.7%), Greqia (2.7%) dhe Gjermania (1.5%).

Nga ana tjetër, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Turqia (17.3%), Greqia (4.2%) dhe Spanja (1.9%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (3.2%), Kina (23.2%) dhe Gjermania (6.8%).

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Numri i OJF-ve, rekord në vitin 2023/ Numërohen mbi 2,500 në total, në 10 vite u rritën me gati 20%

Postimi mëparshëm

Çmimet në Shqipëri, më të lira se rajoni dhe BE-ja/ Në muajin Maj, inflacioni sipas Eurostat vlerësohet në 2.5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.