FunData

Sa na kushton një “Iphone 14”? Sa 21.5% e pagës vjetore, jemi të fundit në rajon. Na duhen 444 orë pune, një zviceriani, vetëm 33 orë

0

Iphone është padiskutim një ndër markat më të njohura në botë sa i përket tregut të smartphone. Çdo vit, “Apple” me fillimin e vjeshtës prezanton modelin e ri të Iphone, duke nxitur edhe shumë përdorues, sidomos ata besnikë të kësaj marke që të bëjnë një `upgrade`. Konkretisht, tashmë në treg ka dalë Iphone 14. “Scan Intel” ka bërë një përllogaritje disi ndryshe të peshës që ka blerja e një smartphone të tillë në xhepat e qytetarëve, krahasuar me pagën e tyre. Këtë krahasim do ta bëjmë edhe me vendet e tjera të botës.

Çmimi mesatar për një Iphone 14 prej 128 gb në Europë fiksohet pranë 1099 dollarëve, ose rreth 1108 euro. Paga mesatare neto në vendin tonë ndërkohë fiksohet pranë rreth 5148 eurove në vit. Kjo do të thotë se, një shqiptar mesatar duhet të shpenzojë 21.5% të pagës së tij vjetore neto për të blerë modelin më të ri të Iphone në treg. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës të marra në analizë nga “Scan Intel”, Shqipëria renditet padiskutim ndër vendet ku për të blerë një Iphone të ri duhet të shpenzosh një pjesë të konsiderueshme të pagës. Ndër vendet e rajonit ndërkohë jemi të pozicionuar më keq, pasi në Kosovë duhet të shpenzosh 21.1% të pagës vjetorë, në Maqedoni të Veriut rreth 18%, Serbi 15%, B&H rreth 16% dhe në Mal të Zi, 14%. Në Europë ndërkohë janë vetëm 4 shtete të tjera në të cilat të përballosh blerjen e një Iphone të ri duhet të “heqësh” më shumë para nga rroga, dhe ato janë: Ukraina, Armenia, Moldavia dhe Azerbaixhani. Vendi që klasifikohet i pari është Zvicra, ku blerja e një modeli të ri Iphone 14 kushton sa 1.6% e pagës vjetore neto. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo normë fikoshet pranë 2.5%, në Kanada pranë 2.9%, Mbretëri të Bashkuar 3.6%, Francë 4%, Itali 6.3% dhe në Greqi 11.8%.

Ndërkohë, nëse të njëjtën analizë do ta bënim nga një këndvështrim tjetër, do të kuptonim se për të blerë një Iphone 14 në vendin tonë duhen 444 orë punë, ose rreth 57 ditë pune. Në Zvicër ndërkohë duhen vetëm 33 orë punë, ose 4 ditë, mbi 13 herë më pak mund dhe djersë pune se në Shqipëri për të kryer një blerje të tillë. Pra, diferencat janë të ndjeshme, sidomos krahasuar me vendet e Bashkimit Europian dhe të Europës. Paga mesatare në vendin tonë jo vetëm që nuk përkthehet dot në mirëqenie, por bën që shumë mallra dhe shërbime të jenë luks, ndërkohë që për europianët e tjerë janë thjesht një shpenzim i vogël.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Tregu” i OJF-ve në Shqipëri/ Në 6 vitet e fundit janë hapur më shumë se në 23 vitet paraardhëse, 80% janë përqëndruar në vetëm 3 qarqe

Postimi mëparshëm

Arsimi dhe shëndetësia, sektorët me më pak trajnime/ Shifrat e INSTAT: Shpenzojnë vetëm 691 lekë në vit për punonjës

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.