Raporte

Sa mirë qeveriset Shqipëria? BERZH: Më keq se Kosova, e parafundit në rajon, lë pas vetëm Bosnje Hercegovinën

0

Strategjia fiskale, diversifikimi i energjisë së rinovueshme dhe mjedisi i biznesit janë tre prioritetet kryesore të Shqipërisë sipas “Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim” (BERZH) në raportin e tranzicionit, për vitin 2022-2023, të publikuar së fundmi. Sipas të dhënave të BERZH strategjia fiskale afatmesme duhet të mobilizojë të ardhurat dhe të krijojë hapësirë për masa të synuara të mbrojtjes sociale duke zgjeruar bazën tatimore, duke rritur pajtueshmërinë tatimore dhe duke reduktuar ekonominë e parave. Raporti thekson se Shqipëria duhet të këtë parasysh sidomos rreziqet fiskale që rrjedhin nga partneriteti publik-privat. Prioriteti i dytë sipas “Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim” lidhet me sigurinë e energjisë. Në një moment kur po përballemi me shqetësimet e sigurisë energjitike, zhvillimi i tubacioneve të konsiderueshme të projekteve diellore dhe të erës duhet të përshpejtohet. Nga ana tjetër, prioriteti i tretë lidhet me përmirësimin e mjedisit të biznesit. Masat kryesore përfshijnë thjeshtimin e sistemit tatimor dhe riorganizimin e procedurave, rritjen e mbështetjes për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, garantimin e sigurisë së shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe rritjen e efektivitetit të sektorit publik-privat.

Mes kapitujve të raportit paraqitet edhe progresi që bëjnë rajonet e BERZH në fushën e reformave strukturore. Për të matur progresin e secilit vend raporti fokusohet në gjashtë cilësitë kryesore të një ekonomie tregu të qëndrueshme, duke parë nëse ekonomitë janë konkurruese, të qeverisura mirë, të gjelbërta, gjithëpërfshirëse, elastike dhe të integruara. Vlerësimi bëhet nga 1 deri në 10 pikë, ku me 10 pikë vlerësohen ekonomitë më të zhvilluara. Sa i përket konkurueshmërisë, Shqipëria renditet në vend të parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën, dhe është vlerësuar me 5.16 pikë. Por si vlerësohet Shqipëria sa i përket qeverisjes së mirë? Përsëri të dhënat tregojnë se renditet e parafundit dhe është vlerësuar me 4.62 pikë. Për të dy pikat e përmendura më lart Kosova ruan pozicion më të mirë se Shqipëria, ndërkohë që edhe Serbia vlerësohet më mirë. Sa i përket aktiviteteve të lidhura me klimën dhe stimuj për inovacionin e gjelbërt, Shqipëria vlerësohet me 4.76 pikë duke lënë pas vetëm Kosovën. Për shtyllën që lidhet me një ekonomi gjithëpërfshirëse Shqipëria vlerësohet me 5.08 pikë, ndërsa për shtyllën që lidhet me elasticitetin dhe ekonomitë e integruara vlerësohet me 4.46 pikë dhe 5.47 pikë.

 

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Qeveria do na japë 673 lekë në ditë/ Nga të cilat, vetëm 119 si investime! Ndarja e “tortës së buxhetit” sipas sektorëve

Postimi mëparshëm

Bien lejet e ndërtimit me 39% – Tirana, Durrësi, Korça zënë 69% të totalit. Berati me rritjen më të madhe

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.