Teknologji

Qeverisja digjitale, 3 në 4 persona në vend janë përdorues/ EUROSTAT: Kemi normën më të lartë në rajon për vitin 2023

0

Përgjatë vitit të kaluar, rreth 67% e qytetarëve të moshës 16-74 vjeç kanë përdorur një faqe interneti ose një aplikacion të një autoriteti publik në 12 muaj, ose ndryshe, qeverisjen elektronike. Sipas “Agjencisë Europiane të Statistikave” qeverisja elektronike përfshin aktivitete të tilla si ndërveprimi me autoritetet publike, marrjen e informacionit nga faqet e autoriteteve, shkarkimin e formularëve zyrtarë, aksesi në të dhëna ose regjistra, aksesi në informacionin personal, caktimi i një takimi ose rezervimi, dorëzimi i deklaratave tatimore, pretendimet ose ankesat apo edhe perfitimet nga sigurimet shoqërore.

Pra, sipas të dhënave të Eurostat, rreth 3 në 4 persona në vendin tonë kanë përdorur një nga aktivitetet e përmendura më lart në vitin 2023. Ndërkohë, rezulton se kjo normë në Bashkimin Europian është 69%, ose 2 pikë më e ulët se në vendin tonë. Danimarka dhe Norvegjia kryesojnë listën me një normë përdorimi prej 97.6% dhe 97.7% respektivisht. Këto vende kanë investuar shumë në infrastrukturën e tyre digjitale dhe kanë promovuar përdorimin e shërbimeve elektronike në mënyrë të vazhdueshme. Finlanda dhe Holanda gjithashtu kanë norma të larta përdorimi, me 95.49% dhe 94.78%. Këto vende janë të njohura për qasjen e tyre inovative ndaj teknologjisë dhe përfshirjen e saj në administratën publike.

Në nivel rajoni, Shqipëria duket se kryeson me normën më të lartë të përdoruesve, por ka lënë pas edhe vende si Italia, Gjermania, Polonia apo Qipro. Në Shqipëri, qeverisja elektronike është shndërruar në një koncept bazë të mirëqeverisjes dhe shtetit ligjor në kohët modern, në tentativë për të shmangur burokracitë dhe korrupsionin. Megjithatë, sipas jë raporti tjetër të EUROSTAT, Shqipëria renditet mes vendeve me normën më të ulët të personave që kanë aftësi teknologjike bazë. Nga ana tjetër, më një strukturë popullsie ku grupmoshat mbi 65 vjeç zenë një peshë të konsiderueshme, shumë qytetarë mund të mos jenë të informuar mjaftueshëm për mënyrën se si të përdorin këto shërbime ose për përfitimet që ato ofrojnë.

Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një trend pozitiv drejt adoptimit të shërbimeve të qeverisjes elektronike në Europë. Vendet me normat më të larta të përdorimit janë ato që kanë investuar më shumë në teknologji dhe kanë promovuar aktivisht përdorimin e këtyre shërbimeve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kursimet u rritën për të katërtin muaj rradhazi/ Depozitat në lekë u rikthehen rënies, ndërsa ato në euro u shtuan me 2.8%

Postimi mëparshëm

INSTAT rivlerëson rritjen ekonomike/ Ndryshon metodologjia për matjen e PBB-së. Rritja për vitin 2023 vlerësohet në 3.94%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.